Rusia dhe Turqia bëhen bashkë për të kryer sulme ajrore në Siri
Moska dhe Ankaraja kanë ndërmarrë të parat sulme ajrore të përbashkëta kundër të ashtuquajturit “Shtetit Islamik” në provincën siriane të Aleppos. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria ruse e Mbrojtjes.

“Sot, Forcat ajrore ruse dhe turke kanë zhvilluar të parin operacion të përbashkët në goditjen e ISIS-it në periferitë e qytetit të al-Babit, në provincën e Aleppos”, tha Sergey Rudskoy, shef i Drejtorisë Operacionale të Shtabit të Përgjithshëm, gjatë një informimi të shkurtër këtë të mërkurë.

Bazuar mbi rezultatet paraprake, përpjekja e përbashkët ka rezultuar e suksesshme, shtoi më tej zyrtari rus i Ministrisë së Mbrojtjes.

Në të njëjtën kohë, ushtria ruse është e përfshirë në një operacion tjetër kundër terroristëve në Siri, duke ndihmuar ushtrisë siriane në provincën lindore të Deir ez-Zor, për të zmbrapsur militantët pas ofensivës së tyre të fundit.

“Xhihadistët” janë duke shfrytëzuar superioritetin numerik atje dhe vazhdojnë të sulmojnë forcat siriane, të cilat janë në mbrojtje të civilëve në Deir ez-Zor, siç informon zyrtari rus.

Nëse terroristët arrijnë të marrin qytetin, atëherë një “gjenocid i vërtetë i pret banorët e tij”, tha Rudskoy, i cili shtoi se “mund të asgjësohet e gjithë popullata e Deir ez-Zor”.

Deri më tani, forcat qeveritare siriane në qytet, të mbështetura nga Forcat Ajrore ruse, kanë mundur të rezistojnë përballë sulmit të ISIS-it, por zyrtari rus e përshkruan situatën si “tejet të vështirë”. /albeu.com/

Shtuar më 18/01/2017, ora 18:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori