Rusia dhe SHBA pranë marrëveshjes për Sirinë
Presidenti rus, Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara mund të jenë afër arritjes së marrëveshjes se cila është mënyra më e mirë për t’i dhënë fund konfliktit në Siri, pavarësisht dallimeve që kanë, ka raportuar sot agjencia "Bloomberg".

Në një intervistë dhënë vetëm dy ditë para takimit të G20 në Kinë, ku Putin pritet të takohet me presidentin amerikan Barack Obama, presidenti rus ka thënë se bisedimet mes Moskës dhe Uashingtonit janë shumë të vështira por janë në rrugën e duhur.

“Për mendimin tim, ne gradualisht jemi duke lëvizur në drejtimin e duhur”, citohet të ketë thënë Putin.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që në të ardhmen e afërt, ne mund të pajtohemi dhe ta paraqesim këtë marrëveshje para komunitetit botërorë. Por tani, është e vështirë të thuhet, por më duket mua se jemi duke lëvizur në drejtimin e duhur”, ka thënë Putin.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, javën e kaluar nuk arritën marrëveshje për bashkëpunim ushtarak dhe ndërprerje të luftimeve në mbarë Sirinë por theksuan se janë afër marrëveshjes. /albeu.com/
Shtuar më 02/09/2016, ora 17:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori