Marokeni rrëfen tmerrin që pa me sy gjatë tërmetit: Duhet të zgjidhja mes prindërve dhe djalit, të vendosja për jetët e tyre

Marokieni, Tayeb ait Ighenbaz u detyrua të zgjidhte mes shpëtimit të djalit të tij 11-vjeçar apo prindërve, kur ata u bllokuan nën rrënoja pas tërmetit shkatërrimtar që goditi Marokun. Tayeb ishte me gruan, dy fëmijët dhe prindërit e tij në shtëpinë e tyre të vogël prej guri kur ajo u trondit nga tërmeti.

“Gjithçka ndodhi kaq shpejt. Kur ndodhi tërmeti, ne të gjithë vrapuam te dera. Babai im ishte duke fjetur dhe unë i bërtita mamasë sime të vinte, por ajo qëndroi prapa për ta pritur atë,” kujton ai për BBC.

Marokieni thotë se jashtë shtëpisë shikoi vetëm gruan dhe vajzën e tij dhe më pas u kthye sërish në ndërtesën, nga e cila kishin mbetur vetëm rrënoja, ku gjeti të birin dhe prindërit e tij të bllokuar. Në ato momente, ai thotë se mund të dallonte dorën e të birin nëpër rrënoja.

Ai e dinte se duhej të vepronte shpejt dhe shkoi në drejtim të djalit të tij, Adamit, duke gërmuar dëshpërimisht në rrënoja për ta nxjerrë jashtë. Kur iu drejtua prindërve, të bllokuar nën një pllakë të madhe guri, ai thotë se ishte tepër vonë.

“Më duhej të zgjidhja mes prindërve dhe djalit. Unë nuk mund t’i ndihmoja prindërit e mi sepse muri ra mbi gjysmën e trupave të tyre. Është shumë e trishtueshme. Pashë prindërit e mi duke vdekur”, thotë ai me lot në sy.

Familja tani jeton me të afërmit në tenda të improvizuara pranë shtëpisë së tyre të mëparshme.


Shtuar 11.09.2023 22:47