Rrenjet e konfliktit Rusi – Gjeorgji
Albeu.com
Është taktika divide et impera, e përdorur nga Moska si instrument efikas kontrolli dhe dominimi mbi territoret që hyjnë në sferën e influencës së saj. Rënia e Bashkimit Sovjetik i hapi kapakun kutisë së Pandorës kaukaziane.Përplasja ende sot e pazgjidhur që shpërtheu midis Abkhazisë dhe Gjeorgjisë, të nesërmen e rënies së Bashkimit Sovjetik, i ka rrënjët e saj në historinë e rajonit trans-kaukazian. Të përshkruarit shkurtimisht e disa prej pasazheve qendrore na jep elementët e dobishëm për të kuptuar origjinën dhe motivacionet e përplasjes së armatosur midis qeverisë së Tbilisit dhe republikës autonome të saj, që mbetet faktikisht e ngrirë pas luftës së fundit të shkurtër midis Rusisë dhe Gjerogjisë, në gusht të vitit 2008. Do të analizohet pastaj roli, i drejtpërdrejtë dhe jo, që ka luajtur Rusia në konflikt në dritën e interesave strategjike të Moskës në të gjithë rajonin kaukazian. Modaliteti me të cilin presidentët gjeorgjianë kanë ndjekur politikën, si të brendshme, ashtu dhe të jashtme, të Tbilisit në dekadat pas Luftës së Ftohtë, ka përcaktuar pozicionin e zënë nga Gjeorgjia në skenarin ndërkombëtar, në udhëkryq midis një tentative afrimi me Perëndimin (në veçanti nëpërmjet dëshirës së fundit për të hyrë në NATO) dhe një pranie ruse të ngulitur.

Interesi i rinovuar i Shteteve të Bashkuara për zonën e Kaukazit - strategjike si nga pikëpamja ekonomike, si korridor energjetik, ashtu dhe nga pikëpamja gjeopolitike, si kufi midis hapësirës ish-sovjetike dhe sot ruse dhe asaj atlantike - dhe më në përgjithësi për të gjithë harkun e Azisë Qendrore, ka përcaktuar edicionin e ri të një konfrontimi të drejtpërdrejtë midis Washingtonit dhe Moskës, për afirmimin apo ripozicionimin e zonave përkatëse të ndikimit. Fundi i asetit bipolar merr formë edhe me rishfaqjen e linjave të pazgjidhshme të frakturave të trashëguara nga rendi bipolar.

Territori i Abkhazisë historikisht ka gëzuar një autonomi të konsiderueshme në brendësi të Gjeorgjisë. E deklaruar si principatë Autonome e Gjeorgjisë qysh në shekullin XVI dhe e banuar në pjesën më të madhe të popullsisë së saj nga popullsi të etnisë abkhaziane, kaloi në mënyrë të qëndrueshme nën dominimin e Perandorisë Ruse nga mesi i shekullit XVII, së bashku me pjesën tjetër të territoreve gjeorgjiane. Ekspansioni rus solli abrogimin e principatave të ndryshme, përfshi atë të Abkhazisë dhe shumë abkhazë myslimanë, që në atë kohë përbënin më shumë se 60 për qind të popullsisë të rajonit, emigruan në Perandorinë Osmane, duke e lënë Abkhazinë pothuajse të shpopulluar. Ky de-fluks demografik u pasua pothuajse menjëherë nga migrimi në Abkhazi i shumë gjeorgjianëve, armenëve, grekëve, rusëve, që ripopulluan zona të shndërruara në pothuajse krejtësisht të pabanuara. Si rezultat i këtyre lëvizjeve etnike, në fillim të shekullit XX abkhazët (myslimanë) përbënin vetëm një të tretën e popullsisë së përgjithshme të Abkhazisë, duke qenë dy të tretat e përbëra në pjesën më të madhe nga gjeorgjianë dhe armenë (të krishterë).

Abkhazia u kthye për të gëzuar një autonomi të konsiderueshme sidomos duke filluar nga viti 1918, pas revolucionit bolshevik, duke arritur pastaj në vitin 1931, vit në të cilin u shpall nga Stalini si republikë e pavarur në gjirin e Gjeorgjisë sovjetike. Në realitet, pavarësia ishte vetëm nominale dhe kontrolli i Tbilisit ishte absolut: zbatohet një politikë asimilimi të detyruar, gjuha gjeorgjiane vendoset me imponim si gjuhë zyrtare, gjuha abkhaziane ndalohet dhe mijëra abkhazianë u vranë gjatë represioneve staliniane.

Kështu u vendosen bazat e përplasjes së ardhshme ndëretnike në Abkhazi dhe Gjeorgji. Bashkimi Sovjetik inkurajon migrimin gjeorgjian në Abkhazi, të cilin do ta pasojë edhe ai nga Armenia, sidomos në vitet Pesëdhjetë dhe Gjashtëdhjetë. Situata për abkhazianët kthehet së prapthi pas vdekjes së Josif Stalinit. Bashkimi Sovjetik e braktis politikën diskriminuese dhe të asimilimit të detyruar dhe adopton një me shenjë të kundërt në mbrojtje të pakicës abkhaziane. Mbrojtja e re sovjetike u mundëson abkhazëve që të fitojnë një peshë dhe ndikim të konsiderueshme në jetën politike të republikës.

Në shkëmbim të mbrojtjes nga Moska, elitat abkhaziane i siguruan Bashkimit Sovjetik një besnikëri politike të plotë. Ky skenar i ri ngjall mërinë e shumicës së popullsisë, gjeorgjiane dhe armene, që e konsiderojnë veten viktima të diskriminimeve. Është taktika divide et impera, e përdorur nga Moska si instrument efikas kontrolli dhe dominimi mbi territoret që hyjnë në sferën e influencës së saj. Rënia e Bashkimit Sovjetik do t'ia hapë kapakun kutisë së Pandorës kaukaziane.

Përleshjet në Abkhazi kanë nisur të nesërmen e shpërbërjes së perandorisë sovjetike. Në momentin e pavarësisë gjeorgjiane, në prillin e vitit 1991, Abkhazia gjendet e ndarë në dy fraksione: shumica, e përbërë thelbësisht nga gjeorgjianë dhe armenë, në favor të pavarësisë së Gjeorgjisë, dhe pakica, e përbërë nga abkhazë, që angazhohej për krijimin e një republike të pavarur nga Gjeorgjia. Midis dy fraksioneve kanë filluar betejat e parë. Presidenti i parë i Gjeorgjisë së pavarur pas-sovjetike, Zviad Gamsakurdia, ndjek një politikë "mikro-perandorake", thelbësisht nacionaliste, e karakterizuar nga një kundërshtim i fortë ndaj lëvizjeve autonomiste të pakicave të brendshme etnike dhe nga largim i prerë nga Rusia (tregues i një linje të tillë properëndimore është në fakt aderimi i munguar i Gjeorgjisë në Komunitetin e Shteteve të Pavarura (CIS). Moska i kundërpërgjigjet "tradhtisë" gjeorgjiane duke mbështetur lëvizjet për pavarësi, të pranishme në rajone të ndryshme të Gjeorgjisë, Abkhazisë, Osetisë së Jugut, Axharisë, Javakhetit, me qëllimin e dobësimit të qeverisë së Tbilisit.

Raportet midis Rusisë e Gjeorgjisë dhe mbështetja dhënë qysh në fillim lëvizjeve për pavarësi të Abkhazisë, Osetisë së Jugut dhe Axharisë, duhen inkuadruar në strategjinë politike kompleksive të zbatuar nga Moska në Kaukaz. Një konsideratë paraprake na jep një element të parë domethënës. Pavarësisht se rajoni kaukazian është i ndarë në një anë që është pjesë e Rusisë së sotme (Kaukazi verior) dhe një anë tjetër e pavarur (Transkaukazia), Gjeorgjia, Armenia dhe Azerbajxhani, Moska e percepton rajonin si një sistem unik, sa nga pikëpamja ekonomike, aq edhe nga një pikëpamje politiko-strategjike dhe të sigurisë. Interesat kryesore të Rusisë në rajon janë në thelb dy: të ruajë integritetin territorial (shiko çështjen çeçene) dhe të mbrojë interesat e veta ekonomiko-strategjike në Transkaukazi. Ruajtja e një roli hegjemonist influence politike - pse jo dhe ekonomik - është kështu objektivi qendror, strategjia dominuese e politikës ruse në Kaukaz. Të mos harrohet se Moska e konsideron Transkaukazinë (ashtu si ish-zonat e tjera sovjetike, shënimi im.) si "fqinjin e jashtëm" të vetin, domethënë një hapësirë historikisht, politikisht dhe ekonomikisht të lidhur me interesat jetike të saj.

Në fakt, pikërisht në Kaukazin Verior, Moska duhet të përballojë lëvizje të ndryshme për pavarësi, (Çeçenia, Dagestani), burime destabilizimesh të fuqishme.

Lufta e gushtit të vitit 2008 është episodi i fundit dhe më i rëndë i një procesi që e ka parë Kremlinin të hyjë në rrugën e përplasjes me Presidentin gjeorgjian Mikheil Saakashvili, i cili ka adoptuar një qëndrim fuqimisht properëndimor, në mënyrë të veçantë pro-amerikan, dhe në mënyrë eksplicite antirus. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian mbështesin integritetin territorial të Gjeorgjisë, të cilës i kanë premtuar ndihma financiare dhe bashkëpunim më të madh pas lufte. Por janë të ndarë lidhur me mundësinë për t'i hapur dyert e NATO-s Tbilisit. Mungesa e një strategjie të përbashkët për Gjeorgjinë, e mbledhur me faktin që Rusia është në një pozicion force, e kufizon influencën e Amerikës dhe të Europës ndaj zhvillimeve në Abkhazi.

Një prej prioriteteve të Presidentit gjeorgjian Saakashvili është integrimi i Gjeorgjisë në NATO, të cilës Rusia i kundërvihet fuqimisht. Aderimi i Gjeorgjisë në NATO duket jashtë çdo diskutimi, të paktën për të ardhmen e afërt. Një anëtarësim eventual do ta përfshinte drejtpërsëdrejti NATO-n në konfliktet me Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut dhe do të rrezikonte që ta tërhiqte në një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë në fuçinë e barutit kaukazian.
Shtuar më 12/07/2010, ora 10:53
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori