Rrënjët e Barak Obamës
Albeu.com
Si e mbajnë mend kandidatin presidencial njerëzit, me të cilët ndau vitet e fëmijërisë. Hauai, aty ku lindi sfida e madhe e pretendentit për Shtëpinë e Bardhë.Nën pemën nga ku mund të shihet fusha e basketbollit e që Berri i mërzitur shkonte për të qartësuar mendimet e tij, sot ajo është mbushur me fëmijët e klasës së parë fillore, teksa luajnë të gëzuar. Nga pas janë palmat, kopshtet dhe shpatet e vullkaneve, ndërsa përpara ngrihen grataçielat e Honolulusë. Në mes qëndron shkolla më e mirë e ishullit.

Duhet të hysh këtu, në shkollën "Punahou", të kapërcesh portën e madhe prej hekuri, të kalosh përpara autobusit të shkollës, i cili qëndron prej vitesh i parkuar në të njëjtin vend, për të kuptuar Barak Obamën, të zbulosh se si është rritur ai fëmijë që të gjithë e thërrisnin Berri. Këtu gjenden të gjitha përgjigjet, mjafton të dëgjosh tregimet e djemve, rrëfimet e shokëve të vjetër të shkollës, kundërshtarëve dhe të vëresh studentët, atmosferën dhe fushat e basketbollit.

Xhon Xhesus Orr është një djalosh 17-vjeçar dhe studenti më i mirë i shkollës. Ja si e shpjegon ai fenomenin Obama me dy fraza: "Është simboli i këtyre ishujve dhe i kësaj shkolle. Saktësisht është produkti i ‘Punahou‘-t: mënyra e rafinuar me të cilën flet, vëmendja për ambientin, respekti për të gjitha racat, mënyra intelektuale me të cilën shkruan. Gjithçka lind këtu. Thonë se nuk është një zezak i vërtetë dhe kanë të drejtë. Nuk është as zezak e as i bardhë, është amerikan: është simboli i një toke, mbi të gjitha nuk mendon se politika është agresion dhe nuk e ka pranuar kurrë ‘kacafytjen‘".

Xhon Xhesus nuk e di se ka thënë gjëra të rëndësishme, ku është fokusuar prej muajsh politika amerikane: fillimisht debatet e shfrenuara nga një senator demokratik, të cilit në një fjalim i kishte shpëtuar pa dashje shprehja "flet në mënyrë elegante, jo si një zezak", më pas ato të liderëve afroamerikanë që zgjidhnin Hilari Klinton, sepse "Obama është tepër i ‘bardhë‘", duke i shtuar shumë akuza të tjera që nuk është i lidhur mjaftueshëm me ideologjitë dhe traditat. Në shkollë, ashtu si në fotot e ‘79-ës - vit kur Berri u diplomua - përzihen shumë raca, saqë është e pamundur t‘i ndash.

Kolin Hanabusa, Presidenti i Senatit të Hauait, i shpjegon më mirë mrekullitë e këtyre ishujve: "Këtu jemi të gjithë pakica, askush nuk dominon, asnjë enti nuk e kalon një të katërtën e popullsisë. Obama ka brenda vetes këtë shoqëri kur e fton Amerikën të kalojë divizionet që e paralizojnë".

Vetëm në një vend të tillë mund të martoheshin pa problem një vajzë e bardhë si En Dunham dhe plaku Barak, studenti i parë zezak që kishte hyrë në Universitetin e Hauait në 1959. Në shumë shtete jugore të SHBA-së, lidhja e tyre do të konsiderohej një krim, por në fakt dashuria që lindi mes tyre në bankat e shkollës, gjatë mësimit të gjuhës ruse, solli në jetë Barakun e vogël, i cili lindi në Honolulu.

Kolin Hanabusa nuk është një tifoze e Barak Obamas, madje është organizatorja e fushatës së Hilarit, aq sa nuk resht duke e vënë në lojë: "Punahou është një vend ‘për të gjorët‘, një shkollë elite, shpesh herë Obama e harron se ka jetuar aty".

Mishle Kam, koordinatore në revistën "Punahou Bulettin" në periudhën e ‘79-ës, natyrisht mendon të kundërtën, tregon se vitin e fundit që kur Obama ka hedhur kandidaturën e tij për President, është takuar pothuajse me të gjithë shokët e vjetër të shkollës: "Nuk ka dyshim që vitet e kaluara në Punahou kanë pasur një ndikim pozitiv tek ai. Duket sikur është një politikan i talentuar, që arrin të bashkojë njerëz me prejardhje dhe lidhje politike të ndryshme. Këto janë gjëra të cilat i ka mësuar në Punahou".

Mënyrën më bindëse të të lexuarit na e jep një kronist politik nga Honolulu: "I gjithë mesazhi i tij është i mbyllur në ‘Aloha values‘, është vlera e fjalës kyçe së këtij populli: Aloha, që do të thotë mirupafshim, dashuri, paqe dhe mirëseardhje. Ideja është se jemi një familje e vetme, që duhet të punojmë të gjithë së bashku për të zgjidhur problemet e familjes, ideja që divizionet dhe anësitë nuk nevojiten. Fjala tjetër kyçe është ‘Ohana‘, që do të thotë familje. Banorët e Hauait janë një familje e madhe. Këtu rritesh mes një përzierje njerëzish dhe ndihesh si në shtëpinë tënde". Kronisti është djalë filipinas, ka lindur në Ohio: "Në vendin tim ndihesha i izoluar, ndërsa këtu kam gjetur vendin ideal".

Martesa e prindërve të Obamës përfundoi shpejt dhe në vitin 1967 nëna e tij u rimartua me një tjetër student, këtë herë një djalë indonezian dhe solli në jetë Majan. "Ky universitet duhet të ketë pasur një fuqi të veçantë mbi nënën time, aq sa u njoh me dy burra, tregon motra e Obamës, e cila sapo ka mbajtur një fjalim për vëllain. Jeta e saj është rrotulluar gjithmonë rreth këtij vendi, madje këtu, para se të vdiste në moshën 53-vjeçare, arriti të mbaronte një doktoraturë në antropologji, me një dispensë prej më shumë se njëmijë faqesh".

Lindja e Majas në Indonezi, kur En dhe djali ishin transferuar për të qëndruar me burrin e ri, shënoi një moment të dhimbshëm për Berrin. Ishte vetëm dhjetë vjeç kur e ëma e përcolli për te gjyshërit në Hauai, që të studionte në një shkollë të thjeshtë. En nuk ishte më në gjendje të ngrihej në orën katër të mëngjesit që ta mësonte Berrin përmes librave që vinin me korrespondencë. Duhej të studionte tri orë në ditë për të mësuar gjuhën indoneziane, e cila nuk i dukej kushedi se çfarë. Ishte më mirë që të shkonte në atë shkollë ku kishte arritur ta regjistronte gjyshi, falë rekomandimeve që i kish dhënë një shok i punës.

Kur u prezantua në klasë, në fillim të klasës së pestë, Berri nuk e dinte se kush ishte: ishte një fëmijë nga Hauai. Zakonisht në shkollë e shoqëronin dy gjyshërit e mamasë, babai i tij u kthye nga Kenia, ndërsa nëna me burrin që e rriti qëndruan në Indonezi. Kur mësuesja bëri apelin për herë të parë dhe thirri emrin e tij, të gjithë fëmijët filluan të qeshnin. Një vajzë e vogël me flokë të kuqe dëshironte medoemos t‘i prekte flokët dhe lëkurën e zezë, ndërsa dikush tjetër e pyeste nëse i ati ishte kanibal.

Për t‘i shpëtuar realitetit, Berri "arratisej" në përralla, u tregonte fëmijëve se babai i tij ishte një princ afrikan dhe që emri Obama nënkuptonte "një zjarr shpërthyes".

Por pas pak muajsh babai i tij rikthehet për ta takuar - kjo do të ishte edhe hera e fundit - dhe kur ai tregoi se do të paraqitej në shkollë për t‘i treguar klasës për tokën e tij, Kenian, Berri u terrorizua, por në fakt gjithçka shkoi mirë, pasi të gjithë shokët mbetën gojë hapur pas tregimit dhe në fund i thanë: "Babai yt është njeri i mirë dhe i drejtë".

Që nga ai moment, Berri u çlirua: "Në kujtesë ruaj gjithmonë një imazh të qeshur, pasi vazhdimisht qeshte dhe argëtohej me shokët. Ishte i kujdesshëm dhe i përkushtuar, kishte seriozitet dhe kjo vërehej te shkrimet që shkruante për revistën e shkollës. Obama ishte edhe një basketbollist i mirë e nëse e kërkoje, dije ku ta gjeje, ishte atje në fushën e basketbollit", tregon më tej koordinatorja. Edhe gjyshi i tij ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e personalitetit të tij: është një i pasionuar pas poezive dhe muzikës xhaz. "Kur ishim në shkollë të mesme, dukej më i madh se ne - kujton një tjetër shok shkolle - dhe nuk mund të hynim në një dyqan me disqe, sepse menjëherë ndalej përpara albumeve të xhazit. Ne pëlqenim rokun, por në fund na bindi të gjithëve".

Një "ves" tjetër nga i cili Obama nuk ka mundur të heqë ende dorë është stërvitja e përditshme: atëherë nëna e shihte nga kati i dhjetë i apartamentit të tyre, ndërsa sot këtë ritual e kryen një ish-shok shkolle me të cilin edhe stërvitet çdo mëngjes.

Sot, në oborrin e shkollës "Punahou", çdo fëmijë ka një kompjuter portabël personal "Apple", me të cilin mund të bëjë detyrat ose t‘u shkruajë shokëve të tij i shtrirë në oborr, ku dëgjohet sërish muzika e ‘okulete‘-s, kitarës së vogël hauajane me katër tela.

Në shkollë, kur binte zilja, Obama vihej gjithmonë në rresht me një vajzë të vogël me origjinë aziatike, Keli Furusima, e cila tregon: "Kam qenë gjithmonë e magjepsur pas tij dhe sot me aq sa mundem po bëj një fushatë të vogël që të bëhet ai President".

Keli është menaxherja e një dyqani me pajisje shtëpiake, më i njohuri në Honolulu. Ajo është paksa e frikësuar nga gazetarët dhe tani ka filluar të besojë sërish në to, sepse pak kohë më parë një televizion i vodhi fotografitë dhe adresat e të gjithë shokëve të klasës.


"Në lice ishte një djalë i shkëlqyer, me një sens humori të jashtëzakonshëm dhe shumë talent për letërsinë. Më pëlqente shumë atëherë kur ishin adoleshentë dhe kam një konsideratë të veçantë tani që është maturuar. Por nuk mendoj se mund ta tregoj më mirë historinë e tij siç e ka treguar ai. Kam pak turp të flas me shtypin, pasi nuk e kuptoj çfarë dëshiron të tregojë ai sot me vitet e Obamës".

Në këtë rast ajo e ka fjalën për historitë e drogës, për të cilat të gjithë shokët e shkollës janë pyetur gjatë nga reporterët. Ka qenë vetë Barak që e ka treguar këtë histori, duke treguar se deri në një farë pike alkooli dhe cigaret me drogë e kishin ndihmuar të harronte problemet: "Drogohesha për të larguar nga mendja pyetje të cilave nuk mund t‘u përgjigjesha". Shkonte në plazh vetëm për të ndezur një cigare.

E motra e përshkruan si një hauajan të vërtetë: "Brenda ka mendimin dhe ritmet e këtij ishulli, që këtu lind hija e tij e veçantë, këtu ka mësuar të komunikojë dhe të negociojë mes botëve dhe kulturave të ndryshme. Sigurisht nuk është perfekt: nuk ka qenë kurrë i zoti të bëjë sërf, nuk arrinte që të qëndronte me këmbë në tavolinë, nuk ishte i aftë të mbante ekuilibër. Atëherë shkonte në "Sandy Beach" ku dallgët përplaseshin në breg dhe bënte ‘badi sërf‘, me qëllim që forca e dallgëve ta nxirrte pa problem në breg. Dhe përveç kësaj kishte arritur të më jepte një përgjigje filozofike: "Dua ta ndiej sipër meje forcën e dallgës, mbi tavolinën e sërfit nuk e ndien ujin poshtë barkut dhe në krahë të jep më shumë emocion mënyra se si e bëj unë. Sigurisht, kjo pjesë nuk duhet treguar në Amerikë, sepse këtu nuk e beson askush". (G. Shqip)
Shtuar më 01/03/2008, ora 16:45
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori