Kërkesa e SPAK për arrestimin e Ahmetajt, Basha: Drejtësia nuk mund të ndalet me kaq

Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me kërkesën e SPAK për arrestimin e Ahmetajt.

Kujtojmë se sot në Kuvend ka mbërritur kërkesa e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për arrestimin e ish-zv.kryeministrit, Arben Ahmetajt. Deputeti akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe deklarim i rremë dhe fshehje pasurie. Me kërkesën e SPAK, pritet që Ahmetajt t’i hiqet imuniteti i deputetit për t’i hapur rrugë arrestimit të tij.

Basha ka përshëndetur këtë kërkesë ndërsa thotë se drejtësia nuk mund të ndalet me kaq, por duhet t’i shkojë deri në fund hetimeve për inceneratorët.

“Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë dhe shqiptarët përveç asaj që dikton pastrimi i politikës nga të gjithë ata që kanë shpërdoruar besimin e qytetarëve, duke i shërbyer interesave korruptive dhe klienteliste. Kërkesa e SPAK për arrestimin e Arben Ahmetaj, pas një beteje të gjatë të Partisë Demokratike për aferën e inceneratorëve, duhet përshëndetur por nuk mund të ndalet me kaq. Promotori dhe mbrojtësi i shpërdorimit të 430 milionë eurove të shqiptarëve është Edi Rama. Drejtësia duhet të shkoj deri në fund, sepse askush nuk mund të jetë mbi ligjin! Sot është më jetik se kurrë vetingu i politikanëve, verifikimi i pasurive dhe lidhjeve të tyre me krimin që mbajnë peng Shqipërinë, dhe godasin sigurinë dhe mirëqenien e familjeve shqiptare”, shkruan Basha.