Vendimi i fundit: FDA i jep dritën jeshile vaksinimit të fëmijëve 5-11 vjeç me Pfizer

FDA ka vendosur “PRO” vaksinimit të fëmijëve me vaksinën Pfizer/BioNTech për moshën 5 deri në 11 vjeç. Ky vendim u mor ditën e sotme duke I hapur rrugën autorizimit emergjent që mund të ndodhë brenda disa javësh.

Kompanitë Pfizer/BioNTech deklaruan që në muajin shtator se vaksina është e sigurt për fëmijët në këtë grup moshë. Aktualisht në SHBA fëmijët po vaksinohen nga mosha 12 vjeç e lart.

Sipas BBC, ky vendim prek rreth 28 milionë fëmijë amerikanë. Sipas Komitetit Këshillor të Vaksinave dhe Produkteve Biologjike të FDA, përfitimet nga vaksina tejkalojnë rreziqet.

Sipas udhëzimit, fëmijëve në këtë grup moshe u injektohet një dozë e cila përmban 1 të tretën e dozës për të rriturit. Të dhënat zyrtare nga SHBA tregojnë se 160 fëmijë të moshës pesë deri në 11 vjeç kanë vdekur nga Covid-19 që nga fillimi i pandemisë. Në total, vendi ka regjistruar afër 740,000 vdekje nga virusi. /albeu.com/

 


Shtuar 26.10.2021 22:51