Reforma në BE, s’ka zgjerim deri në vitin 2019
Pëlqej
“Era është sërish e favorshme për velat e BE-së”, thotë presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, që sheh në këto momente një mundësi të mirë për reformimin e bllokut europian.

Në fjalimin e tij të përvitshëm për gjendjen e BE-së, në Parlamentin Evropian në Strasburg, Juncker foli për një dritare mundësish, që nuk do të qëndrojë gjithmonë e hapur.

“Ekonomia europiane po e merr veten dhe Bashkimit Europian iu desh ta kapërcente ‘Brexit’-in. Tashmë është koha që unioni të reformohet e të farkëtojë marrëveshje të reja tregtare. Kërcënimet ekzistenciale të tij nga shkëputja e Britanisë, kriza e emigrantëve dhe rritja e populizmit tashmë janë ulur”, tha Jean-Claude Juncker.

Juncker preku në fjalën e tij edhe çështjen e zgjerimit dhe tha se Europa duhet të ndjekë një projekt të besueshëm shtrirjeje lidhur me vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe pse nuk do të ketë anëtarësime të reja brenda mandatit aktual të Komisionit, që përfundon në vitin 2019.

“Nëse duam më shumë qëndrueshmëri në fqinjësi, atëherë duhet të mbajmë hapur perspektivën e besueshme të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor.

Asnjë kandidat nuk është ende gati. Por, më pas, BE-ja do të jetë më e madhe sesa 27 në numër. Kandidatët për anëtarësim duhet t’u japin përparësi sundimit të ligjit, drejtësisë dhe të drejtave themelore”, deklaroi Juncker. /albeu.com/
Shtuar më 13/09/2017, ora 18:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori