"Putini i dekoron, ata pështyjnë"
Konflikti Armeni-Azerbajxhan po nxjerr në pah përveç luftës, edhe qëndrime të ashpra, e shpesh edhe fyese ndaj palëve të përfshira në konflikt. Rusia është ajo që po kryen presionin më të madh, dhe po shfrytëzon personazhe të dyshimtë të botës së medias, për të përçuar mesazhe përçmuese.

Një nga këta është edhe e Dekoruara e Putin me urdhrin Alexander Nevsky në vitin 2019, Margarita Simonyan, përfaqësuesja e RT, e cila vetëm para pak javësh i është drejtuar popullit armen në mediat sociale: “Rusia ka çdo të drejtë morale që t’ju pështyjë dhe t’ju rrëzojë në tokë”.
Simonyan pati një shpërthim të patakt dhe emocional gjatë verës së këtij viti në hapësirën virtuale sociale, duke kritikuar ndër të tjera edhe lidershipin e Armenisë për qëndrime anti-ruse dhe duke ju kërkuar që të shfaqnin mirënjohje ndaj Rusisë. Në veçanti, ajo pohoi se “në përgjigje të shumë viteve mirësjellje dhe mbrojtje” nga Rusia, lidershipi armen nuk ka njohur Krimenë, burgosi “aleatin e përhershëm të Rusisë” Robert Kocharyan, tejmbushi Armeninë me organizata jo-qeveritare anti-ruse “që mësojnë rininë se si të përmbysë pushtetin në Rusi”, u bë “trampolinë për forcat anti-ruse në Kaukaz” dhe përzuri biznesmenët ruso-armenë, të cilët ishin aleatë të përhershëm të Rusisë.

Në postimin e saj ajo ka cilësuar se: “Brenda orës, media dhe rrjetet tuaja sociale pështynë Rusinë, Putinin dhe çdokënd që mbështet Putinin, specifikisht ruso-armenët (psh. mua). Ju i keni ndarë fatkeqët, duke e zhdukur popullin armen e duke i kthyer rusët-armenët në armiq ndërsa ata “të vërtetët” mbështesin fuqinë tuaj financiare...Dhe tani, kur një luftë po shpërthen në kufi...ju kujtoni se Rusia duhet t’ju shpëtojë sërish. Pas gjithçkaje që ju keni bërë, Rusia ka çdo të drejtë morale t’ju pështyjë dhe t’ju rrëzojë në tokë. Por kjo gjë nuk do të ndodhë, jam e sigurtë. Rusia do t’ju vijë në ndihmë edhe kësaj here. Sepse e tillë është Rusia. Bujare dhe fisnike, toka ime e dashur. Dhe ju jeni thjesht një grusht ulëritësish politikanë, të cilët tradhtuan interesat e njerëzve të mëdhenj të Armenisë, për një moment pushteti dhe hakmarrje personale mendjengushtë”.

Në njëfarë mënyre, kjo është perspektiva cinike e Rusisë në marrëdhëniet me ‘partnerë’ të saj, motoja që frymëzon politikën e Rusisë në raport me shtetet e tjera. Thuajse ngjashmërisht, pak më herët, RT kishte cilësuar Letoninë si “shtet i dështuar”, arsye për të cilën Letonia mbylli transmetimet e këtij kanali.

Interesante lidhur me Simonyan, kanë qenë denoncimet e ngritura ndaj saj nga i helmuari i fundit i regjimit rus, A. Navalny. Fondacioni investigativ i ngritur prej tij ka denoncuar më herët gjatë vitit 2020, përfitimet e paligjshme nga Simonyan dhe të afërm të saj.

Në formë gati “hakmarrëse”, por në sinkron me sa Rusia keqinformoi publikun e gjerë mbi helmimin e Navalny, duke e interpretuar si “komplot të Perëndimit për të demonizuar Kremlinin”, Simonyan e etiketoi helmimin e Navalny thjesht si “presion të ulët të gjakut”. Ditën që Navalny u sëmur, ajo ishte prezent në platformat online më së paku rreth 8 herë, duke vënë theksin te rreziku për shëndetin nga rënia e nivelit të sheqerit në gjak.

Për ironi, Simonyan ka intervistuar vite më parë edhe dy të dyshuarit për helmimin e ngjashëm të Skripalëve, duke mos vënë në diskutim sa ata deklaruan se: kishin qenë në Salisbury për arsye turistike. Publikisht është bërë e qartë përfshirja e shërbimeve sekrete ruse dhe shtetit të Rusisë, në helmimin e Salisburyt dhe të tjera të ngjashme me të që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit, kundër disidentëve rus.
Shtuar më 03/11/2020, ora 16:32

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori