Putin: Jam i sigurt në suksesin e programit tim
Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, pas votimit në kuadër të zgjedhjeve presidenciale deklaroi se do të jetë i kënaqur me cilindo rezultat, i cili do ti siguroi atij mandatin e katërt si President.

“Jam plotësisht i sigurt në suksesin e programit që i kam ofruar vendit”, tha Putin pas votimit në ndërtesën e Akademisë së Shkencave në Moskë.

Qendrat e votimit u hapën në orën tetë të mëngjesit sipas orës lokale, ndërsa në disa rajone të Lindjes së Largët, votimi filloi të shtunën në mbrëmje.

Rreth 145 mijë vëzhgues janë duke përcjellë procesin e votimit, e në mesin e tyre janë edhe 1500 vëzhgues të huaj dhe përfaqësues të opozitës. Në bazë të anketave, pritet një fitore bindëse e Putinit.

Në garë po marrin pjesë gjithsej tetë kandidatë.

Rivali më i njohur dhe më serioz i Putinit, Alleksej Navalllni, bëri thirrje për bojkot të zgjedhjeve, pasi që Komisioni Qendror Zgjedhor ja mohoi të drejtën për të qenë kandidat.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, në Rusi të drejtë vote kanë rreth 109 milionë qytetarë, të cilët do të kenë mundësi të votojnë në 97 mijë qendra zgjedhore, ndërsa të drejtë vote kanë edhe 1.8 milionë rusë, të cilët jetojnë jashtë vendit. /albeu.com/

Shtuar më 18/03/2018, ora 17:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori