Përfaqësuesi rus përmend Haradinajn në OKB, Hoxha: Mos e përmend, shkoi dhe u gjykua dy herë

Një debat mes përfaqësuesit shqiptar dhe atij rus në institucionet e drejtësisë ndërkombëtare dhe mekanizmit të gjykatave kundër krimeve të luftës u zhvillua gjatë mbledhjes së fundit në OKB.

Ambasadori shqiptar Ferit Hoxha solli shembullin e luftërave në ish-Jugosllavi si shembull i nevojës për institucione që ndëshkojnë kriminelët e luftës për të mos i falur duke i harruar ata, në mënyrë që ngjarjet e tmerrshme të përsëriten.

Gjatë diskutimit u përmend nga përfaqësuesi rus Vasily Nebenzya edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke marrë përgjigjen e Hoxhës, i cili tha se “nuk duhej ta përmendte Haradinajn sepse ai u gjykua dy herë tashmë dhe të dy herët është shpallur i pafajshëm”.

“Ai nuk u fsheh, nuk u arratis, dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit, dhe iu dorëzua vetë drejtësisë, u përball me faktet, fitoi dhe tani është i lirë. A do ta bëjnë të njëjtën gjë, ushtarët dhe politikanët rusë të akuzuar për krimin e agresionit dhe krime të tjerë serioze?”, tha Ambasadori Ferit Hoxha.