Tunizia voton për zgjerimin e fuqive të presidentit

Qytetarët në Tunizi të hënën votojnë në referendumin për Kushtetutën e re, që sipas kritikëve të presidentit Kais Saied, mund të dëmtojë demokracinë që doli pas revolucionit të vitit 2011, duke i dhënë presidentit pushtet pothuajse të plotë.

Votimi po mbahet në përvjetorin e parë të vendimit të Saiedit për të shkarkuar parlamentin e zgjedhur. Pas shkarkimit të këtij parlamenti, ai vendosi gjendjen e jashtëzakonshme dhe nisi qeverisjen me dekret.

Partitë opozitare në Tunizi kanë thënë se kjo lëvizje është grushtshtet që rrezikon kthimin e shtetit në epokën autokratike para revolucionit.

Ende nuk dihet se kur do të dalin rezultatet e referendumit, teksa qendrat e votimit pritet të mbyllen në ora 21:00. Por, duket se ka pak entuziazëm në mesin e qytetarëve për të votuar në këtë referendum, i cili është bojkotuar nga partitë kryesore.

Analistët presin që të ketë dalje të ulët në referendum dhe të dominojë vota “po” ndryshimeve kushtetuese.

Nën udhëheqjen e Saiedit, në referendum nuk ka prag të pjesëmarrjes. Të drejtë vote kanë 9.2 milionë qytetarë. Presidenti ka thënë se Kushtetuta e re do të hyjë në fuqi pasi të publikohen rezultatet përfundimtare të referendumit, por nuk ka treguar se çfarë mund të ndodhë nëse qytetarët kundërshtojnë ndryshimet.

Saied ka thënë se ndryshimet që ka propozuar do të vënë themelet e një republike të re, që do të lë pas revolucionin dhe vite të trazirave politike dhe ngecjeve ekonomike.

“Ne do të krijojmë një republike të re, jo sikurse ajo që kemi pasur në dhjetë vjetët e fundit. Ne duam një shtet ligjor. Qytetarët e kanë fjalën e fundit”, ka thënë Saied pas votimit.

Megjithatë, pothuajse shumica e partive kryesore politike dhe organizatat e shoqërisë civile kanë kritikuar ndryshimet duke thënë se Kushtetuta po rishkruhet njëanshëm dhe kanë argumentuar se Saied ka dështuar që të krijojë unitet për referendumit./REL