Rojet e njihnin me emër tjetër, në dokumenta kishte emër tjetër, por emri i vërtetë i 39-vjeçarit të ekzekutuar në Tiranë është tjetër

Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me identitetin e vërtetë të 39-vjeçarit që u ekzekutua mbrëmjen e djeshme te “Kodra e Diellit” në Tiranë.

Në media u raportua se mbrëmjen e djeshme është ekzekutuar me armë zjarri 39-vjeçari Briken Sanaj. Ndërkohë që abc ka mësuar se emri i vërtetë i viktimës është Skerdi Sanaj, ndësa rojet e kompleksit e njihnin me emrin, Anton Gjini.

39-vjeçari i cili kishte disa vite që jetonte në Itali, ishte kthyer para pak ditësh në Shqipëri për të marrë pjesë në dasmën e shokut të tij në Lezhë.

Sanaj është qëlluar nga afër me kallashnikov nga dy persona, duke marrë plagë në fytyrë dhe në trup.

Menjëherë pas ngjarjes autorët janë larguar me një automjet tip “Benz”, i cili është gjetur i djegur pak minuta më pas në zonën e Qafë Kasharit.

Targat e automjetit rezultonin të vjedhura dy ditë më parë në Tiranë.

Ndërkohë një tjetër pistë që po heton policia është ajo e hakmarrjes, pasi vëllai i 39-vjeçarit kishte plagosur me armë një person në Ishull Lezhë në vitin 2012-të.

Ndërkohë burime për Abc konfirmojnë se viktima nuk ka precedentë të mëparshëm penalë as në Shqipëri dhe as në Itali ku jetonte prej disa vitesh.