Protestë masive e "bluzave të bardha" në Athinë
Punonjësit e shëndetësisë kanë marshuar sot drejt Parlamentit të Greqisë në shenjë proteste ndaj projektligjit të ri i cili u miratua gjatë ditës së djeshme dhe që konsiderohet nga mjekët si paralizues për sistemin shëndetsor.

Qindra mjekë, infermierë dhe personeli i spitaleve të vendit, kanë marshuar duke kundërshtuar projektligjin i cili redukton vendet e punës në spitalet shtetërore dhe u jep fund shumë prej shërbimeve shtesë në këto institucione, me qëllim uljen e shpenzimeve.

Mjekët e sektorit publik të shëndetësisë kanë rreth dy muaj që protestojnë, me anë të grevave të ndryshme për pushimet nga puna të kolegëve të tyre dhe mbylljen e disa klinikave shtetërore.

Ata mendojnë se qeveria me anë të reformave të rrepta që zbaton, nuk i jep rëndësi kujdesit shëndetësor dhe si rezultat i këtyre politikave është ulur niveli i trajtimit mjekësor në spitalet publike të vendit.

Në fillim të vitit 2014, qeveria greke vendosi një tarifë prej 25 euro për këdo që do të kurohej në një spital shtetëror, masë që shkaktoi reagime të mëdha dhe për këtë arsye Ministria e Shëndetësisë nuk e vuri në zbatim.

Projektligji i ri është miratuar pasditen e djeshme nga Parlamenti grek me 151 vota, vetëm një më tepër se gjysma e deputetëve. /albeu.com/
Shtuar më 07/02/2014, ora 13:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori