Flota ruse e Paqësorit është vënë në gatishmëri të lartë

Flota ruse e Paqësorit është vënë në gatishmëri të lartë për shkak të stërvitjeve ushtarake, tha ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.

Sipas tij, qëllimi i stërvitjeve të Flotës së Paqësorit, e cila është e vendosur në Vladivostok, në lindjen e largët Ruse, është të testojë kapacitetin e forcave të armatosura ruse për përgjigje ndaj agresionit.

Përveç lëshimit të raketave, në stërvitje do të përfshihen edhe bombardues strategjikë me kapacitet bërthamor dhe avionë të tjerë luftarakë, përkrah atyre të forcave ajrore të Flotës së Paqësorit, ka thënë Shoigu.

Ushtria ruse ka përqëndruar shumicën e forcave të saj në vijën e frontit në Ukrainë, por ka vazhduar të kryejë stërvitje të rregullta ushtarake në të gjithë Rusinë, për të trajnuar forcat dhe për të demonstruar gatishmërinë e tyre.

Shoigu, në një fjalim drejtuar udhëheqjes së lartë ushtarake, tha se skenari për manovrat e sotme parashikon një përgjigje ndaj përpjekjes së armikut për të ardhur në ishullin Sakhalin dhe në ishujt jugor të Kurilit.

Admirali Nikolai Yevmenov, i cili kryeson marinën ruse, do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e stërvitjeve, tha Shoigu.

Japonia pretendon të drejta territoriale ndaj ishujve Kuril, të cilët i quan Territoret veriore. Ato u morën nga Bashkimi Sovjetik në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe për shkak të asaj mosmarrëveshjeje, të dyja vendet nuk nënshkruan zyrtarisht një traktat paqeje për t’i dhënë fund armiqësive.

Vitin e kaluar, Rusia njoftoi se po pezulloi bisedimet e paqes me Japoninë, në shenjë proteste ndaj sanksioneve japoneze kundër Moskës, për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Vitet e fundit, Rusia ka rritur praninë e saj ushtarake në ishuj dhe ka vendosur avionë luftarakë modernë, raketa kundër anijeve dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

Stërvitjet e Flotës së Paqësorit filluan disa ditë para vizitës së paralajmëruar të ministrit kinez të Mbrojtjes, gjeneralit Li Shangfu në Moskë.

Vizita tre-ditore e presidentit kinez Xi Jinping, muajin e kaluar, tregoi partneritetin midis dy vendeve kundër përpjekjeve perëndimore për të izoluar Rusinë për shkak të sulmit të saj ndaj Ukrainës.

Moska dhe Pekini akuzojnë Uashingtonin se po kërkon t’i izolojë dhe të ndalojë zhvillimin e tyre, sepse, siç pretendojnë, ato paraqesin sfidë për SHBA-në, për udhëheqjen rajonale dhe globale./rel/