Prindi saudit: Ndaleni Iranin ose do përballeni me çmime të larta të naftës
Princi i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, ka paralajmëruar se çmimi i naftës mund të arrijë një shkallë të paimagjinueshme, nëse komuniteti ndërkombëtar nuk ndërmerr masa për t’i ndaluar veprimet e dëmshme të Iranit.

Ai tha se një luftë e mundshme mes Arabisë Saudite dhe Iranit do ta shkatërronte ekonominë botërore. Deklarata e tij erdhi pas sulmit në stacionet e naftës, për të cilat u fajësua Irani.

Në anën tjetër, Irani i ka mohuar akuzat për përfshirje në këto sulme, të cilat ndikuan në zvogëlimin e prodhimit të naftës në nivel botëror për pesë për qind.

“Furnizimi me naftë do të ketë vështirësi dhe çmimi i naftës do të rritet në shifra të paimagjinueshme, të cilat nuk i kemi parë asnjëherë në jetë”, tha princi.

Ai shtoi se Lindja e Mesme ofron 30 për qind të energjisë botërore dhe 4 për qind të GDP-së. “Paramendoni sikur këto të ndalen. Kjo nënkupton bllokim të ekonomisë botërorë, jo vetëm të Arabisë Saudite apo shteteve të Lindjes së Mesme”, tha Bin Salman.

Anëtari i familjes mbretërore gjithashtu tha se sulmet e Iranit ishin budallallëk dhe se ato nuk kishin ndonjë qëllim strategjik, shkruan “BBC.
Shtuar më 30/09/2019, ora 10:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori