Princi saudit: Gazetari ishte islamik i rrezikshëm me Vëllazërinë Myslimane
Princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman, u ka thënë Shteteve të Bashkuara se e ka konsideruar islamist të rrezikshëm gazetarin e vrarë, Jamal Khashoggji, kanë raportuar mediat amerikane.

Princi Salman është raportuar të ketë bërë këto deklarata në një bisedë telefonike me Shtëpinë e Bardhë, pasi Khashoggi është zhdukur dhe para se Arabia Saudite të pranojë se e ka vrarë atë.

Muajin e kaluar, princi saudit ka thënë se “krimi ka qenë i dhimbshëm për të gjithë sauditët”.

Mirëpo, gjatë bisedës telefonike me Jared Kushner dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump, dhe këshilltarin amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton, princi saudit ka thënë se Khashoggji ka qenë anëtar i organizatës islamike, Vëllazëria Myslimane, ka raportuar Washington Post.

Arabia Saudite ka mohuar raportimet e Washington Postit dhe New York Times.

Khashoggi, saudit që ka punuar për mediat amerikane, është njohur si kritik i udhëheqësisë saudite.

Trupi i tij ende nuk është gjetur, mirëpo Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite janë pajtuar që ai është vrarë në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor.

Arabia Saudite ka mohuar se familja mbretërore ka qenë e përfshirë në këtë rast dhe ka treguar “përkushtim për të zbuluar faktet”.

Princi Salman, po ashtu, është raportuar t’iu ketë bërë thirrje autoriteteve amerikane për të ruajtur aleancën SHBA-Arabi Saudite.


Shtuar më 02/11/2018, ora 09:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori