Presidenti palestinez: SHBA e njëanshme, minoi zgjidhjen e konfliktit me Izraelin
Presidenti palestinez, Mahmud Abbas, tha të enjten se Shtetet e Bashkuara "ishin të njëanshme" dhe përsëriti se "nuk mund të jenë" ndërmjetësi i vetëm "për të zgjidhur konfliktin në Lindjen e Mesme".

"SHBA vepron si ndërmjetës, por ne po e shohim atë sot me një sy tjetër", tha Abbas, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, duke iu referuar njohjes së Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit dhe ndërprerjen e ndihmës financiare për UNRWA, dhe projektet e OKB-së për refugjatët palestinezë në Lindjen e Afërt.

"SHBA nuk mund të jetë ndërmjetësi i vetëm", tha ai, duke komentuar deklaratën e bërë të martën nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, se ai synon të paraqesë planin e paqes në Lindjen e Mesme brenda 3-4 muajve të ardhshëm.

Abbas i kërkoi Trump të rishikojë vendimet e tij mbi Jerusalemin dhe UNRWA, të cilat, siç tha ai, minojnë zgjidhjen mes dy shteteve.

"Me të gjitha këto vendime, qeveria amerikane mohoi të gjitha angazhimet e mëparshme të SHBA dhe minoi zgjidhjen e konfliktit mes dy shteteve. Unë e përsëris apelin ndaj Presidentit Trump që të anulojë vendimet dhe dekretet mbi Jerusalemin, refugjatët dhe vendbanimet", tha ai.
Shtuar më 27/09/2018, ora 23:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori