Presidencialet, Hollande kryeson ndaj Sarkozy
Është hera e parë që prej vitit 1958 që kandidati që synon të rizgjidhet president në Francë dështon në raundin e parë.

Socialisti Fransua Holand fitoi me 28%, ndërsa Nikola Sarkozi i qendrës së djathtë mori 26% të votave. E treta u rendit kandidatja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen me 20%. Dy kandidatët kryesorë do të përballen me 6 Maj. 57-vjeçari Holand tha se është ai njeriu i duhur për tu bërë presidenti i Francës, ndërsa Sarkozi u ndëshkua nga zgjedhësit. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte e lartë, rreth 80%.

Pagat, pensionet, taksat dhe papunësia ishin në krye të listës së votuesve. Presidenti Sarkozy premtoi reduktimin e deficitit të lartë buxhetor dhe vendosjen e taksave ndaj atyre që duan të lënë vendin për këtë arsye.

Ai apeloi për Aktin Europian të Blerjes për kontratat publike dhe kërcënoi tërheqjen nga zona Shengen nëse vendet anëtare nuk bëjnë përpjekje për të reduktuar emigracionin. Holand ka kritikuar rezultatet ekonomike të Sarkozisë dhe premtoi rritje taksash për koorporatat e mëdha dhe për ata individë që fitojnë mbi 1 milionë euro në vit.

Socialisti kërkoi rritje të pagës minimale, punësim për 66 mijë mësues dhe ulje të moshës së pensioneve nga 62 në 60 për disa grupe punëtorësh. Nëse zgjidhet, Holand do të jetë i pari president i majtë pas Fransua Miteran, i cili qëndroi në krye të Elizesë gjatë dy mandateve 7-vjeçare prej vitit 1981 në 1995.

Nëse Sarkozi humb do të jetë i pari president që nuk merr një mandat të dytë që prej kohës së Valeri Zhiskar D-esten, më 1981. /albeu.com/
Shtuar më 23/04/2012, ora 12:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori