Prej 6 ditësh të bllokuar në anije, Prokuroria: Lejoni të zbresin në tokë minorenët
Pëlqej
Vazhdon odiseja për 177 emigrantët klandestinë, të cilët prej natës duke u gdhirë 16 gushti ndodhen në anijen e rojes bregdetare italiane "Diciotti" në pritje të një porti për u zbarkuar.

Prej 48 orësh anija është ankoruar në portin e Katanias në ishullin e Sicilisë por ministri i Brendshëm italian Matteo Salvini nuk lejon asnjë emigrant të zbresë në tokën italiane pa garancitë e Europës për shpërndarjen e tyre në vende të ndryshme anëtare të BE.

Ndër 177 emigrantët, 29 janë minorenë të pashoqëruar.

Prokuroria për minorët e Katanias i ka nisur sot një letër të përbashkët Ministrit të Brendshëm italian Salvini , ministrit të Infrastrukturës Toninelli, kreut të departamentit të lirisë civile si dhe prefekturës së Katanias ku i kërkon zbritjen në tokën italiane të 29 minorenëve të pashoqëruar që ndodhen në bordin e anijes Diciotti.

Këtij apeli i janë bashkuar dhe shoqata e asistencëve socialë italianë.

Ndërkohë nga Brukseli vijnë informacionet se vijojnë kontaktet mes Italisë e vendeve anëtare të BE .

"Po punojmë në mënyrë që personat në bordin e anijes të zbresin sa më parë në tokë", ka deklaruar zëdhënësi i Komisionit Europian për Emigracionin Tove Ernst. "Për Komisionin , tha ai, para së gjithash ky është një impenjim humanitar."

Ndërsa organizata Medici seza frontiere bën me dije se gati një ekip psikologësh për 177 emigrantët e anijes Diciotti që prej disa ditësh janë lënë në det.
Shtuar më 22/08/2018, ora 21:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori