U plagos sonte në Velipojë, 48-vjeçari me të shkuar të errët, në 2002 vrau një person

Policia ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e sotme në Velipojë, ku pranë një resorti, në rrethana ende të paqarta, u plagos me armë zjarri 48-vjeçarin Pjerin Brushtulli.

“Rreth orës 22:00, në Velipojë, në afërsi të një resorti, në rrethana ende të paqarta  është plagosur me armë zjarri, shtetasi P. B. 48 vjeç, banues në Shkodër, i cili po transportohet për në Spitalin Rajonal Shkodër për ndihmë mjekësore.

Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie dhe grupe të FNSH Shkodër , është rrethuar zona  dhe vijon krehja e saj me qëllim kapjen e autorit/eve.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po  vijon punën  për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes  me qëllim  identifikimin e autorit/ëve”, njofton policia.

I plagosuri nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai është arrestuar në vitin 2008 për një vrasje të kryer në 2002-ën.