Policia greke heton grabitjen ne qytetin Amfilokia
Albeu.com
Policia greke po vazhdon kërkimin e autorëve të ngjarjes së të dielës, kur persona me maska hapën zjarr në një restorant ku ndosheshin dhjetra emigrantë shqiptarë, që udhëtonin për në Shqipëri.
Tre emigrantë u plagosën, mes tyre një grua që ndodhet në gjendje më të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.

Më shumë se 24 orë pas ngjarjes, operacioni i madh i policisë lokale nuk ka dhënë ende asnjë rezultat.


Policia kërkon katër persona, të cilët mësynë mesanatën e të shtunës për të dielë në një restorant në qytetin bregdetar Amfilokia, buzë rrugës nacionale Patra-Janinë.

Në restorant ndodheshin 110 emigrantë shqiptarë, pasagjerë të tre autobusave që bënin itinerarin e përditshëm Athinë-Tiranë.

Katër persona me maska në fytyrë dhe automatikë në duar, u futën në lokal dhe u thirrën njerëzve të shtriheshin përtokë, ndërsa nisën të shtien në ajër.

Nga rikoshetat e plumbave, dy emigrantë, një djalë 15 vjeç dhe një burrë 29 vjeç, u plagosën lehtë.

Për arsye që mbeten ende të paqarta, edhe katër personat me maska dolën nga lokali, duke shtirë përsëri mbi autobusat që ndodheshin të parkuar.

Nga plumbat e tyre u plagos rëndë në fytyrë një grua 66 vjeçe, gjithashtu emigrante shqiptare.

Ajo u dërgua urgjentisht në spitalin e Agrinios, ku iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe tani po kurohet jashtë rrezikut për jetën.

Amfilokia është një nga pikat e zakonshme të ndalimit të autobusave që shkojnë për në Shqipëri, me të cilët nuk kishte ndodhur më parë ndonjë ngjarje e ngjashme.

Pronarët e autobusave i thanë policisë se ata nuk kishin asnjë sinjal apo kërcënim paraprak.
Shtuar më 05/07/2010, ora 10:32
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori