EMRAT/ “Syri” në “Gjirin e Arushës” pikasi 1 ton “mall”, kush janë skafistët shqiptarë dhe ukrainas që ranë në prangat e policisë

Foto ilustruese

Gjatë operacionit policor të koduar “Syri” u arrestuan nga Policia e Vlorës, shtetasit Arbër Saraseli, Saverjo Imeraj dhe Qemal Pekmezi, si dhe u shpall në kërkim shtetasi Gregor Likaj.

Sipas burimeve nga policia, këta persona përmes 3 skafeve të ndryshme dyshohet se kanë furnizuar në thellësi të detit një mjet lundrues tip velierë me 992 kg lëndë narkotike të llojit marijuhanë.

Ndërkohë veliera u kap në ujërat italiane nga Guardia di Finanza, ku dhe u arrestuan shtetasit ukrainas Bychkovi Serhii dhe Senkevych Serhii.

Gjitashtu dy grupet u vëzhguan nga policia shqiptare dhe Guardia di Finanza në Gjirin e Arushës, teksa shkëmbenin kanabisin.

“Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Guardia di Finanza, Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Delta Forcë, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin e Policisë Kriminale, në Policinë e Shtetit, bazuar në informacionet e marra nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit se disa shtetas kishin transportuar drejt një mjeti lundrues, një sasi lënde narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin e koduar koduar “SYRI”.

Në operacion u përshinë rreth 250 forca policore, të cilat zhvilluan kontrolle dhe ndjekje nga toka, deti dhe nga ajri me helikopter të GDF-së dhe Frontex-it. Kontrollet u finalizuan me bllokimin e mjetit lundrues që kishte lëndën narkotike dhe arrestimin e personave që kishin organizuar trafikimin e saj.

Si rezultat i operacionit, nga shërbimet e Policisë së Shtetit u bë i mundur identifikimi i personave që dyshohet se kishin transportuar lëndën narkotike, me 3 mjete lundruese, drejt një mjeti tjetër lundrues në thellësi të detit.

Nga Policia e Vlorës u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve me iniciale A. S., 31 vjeç, S. I., 22 vjeç dhe Q. P., 19 vjeç, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit G. L., 33 vjeç, të katërt keta banues në Vlorë.

Gjithashtu, gjatë operacionit u kapën në flagrancë, në ujërat italiane, nga Guardia di Finanza, shtetasit me iniciale B. S., 43 vjeç dhe S. S., 62 vjeç, të dy me shtetësi ukrainase.

Shtetasit e arrestuar në Vlorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 07.08.2022, rreth orës 15:00, dyshohet se kanë transportuar lëndën e dyshuar narkotike marijuanë, me 3 skafe drejt një mjeti tjetër lundrues, në thellesi të ujërave të detit Jon dhe më pas e kanë nisur atë drejt Italisë.

Si rezultat i zhvillimit të operacionit të përbashkët, nga autoritetet e Guardia di Finanza është kapur në ujërat italiane, mjeti lundrues me të cilin transportohej lënda narkotike. Shërbimet e GDF-së, gjatë kontrollit në bordin e mjetit lundrues, kanë sekuestruar një sasi prej 992 kg lëndë të dyshuar narkotike marijuanë, e ndarë në 153 pako”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.