“Bota mund dhe duhet ta ndalë Putin”, MEPJ e Ukrainës: Do mbrohemi e do të fitojmë

Në një postim në Twitter të enjten në mëngjes, ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba u bëri thirrje “ukrainasve anembanë globit” të flasin dhe të kërkojnë veprim nga udhëheqësit e tyre.

“Putini sulmoi, por askush nuk po ikën”, ka shkruar ai. “Ushtria, diplomatët, të gjithë po punojnë. Ukraina lufton. Ukraina do të mbrojë veten. Ukraina do të fitojë.”

“Ndani të vërtetën për pushtimin e Putinit në vendet tuaja dhe u bëni thirrje qeverive të veprojnë menjëherë,” tha ai.

Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës e përshkroi veprimin ushtarak të Rusisë të enjten si një “akt lufte” në një deklaratë të postuar në Facebook.

“Ky është një akt lufte, një sulm ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, një shkelje e rëndë e Statutit të OKB-së dhe normave dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare”, tha zëdhënësi Oleg Nikolenko në deklaratë.

Nikolenko tha se trupat ruse kishin kryer sulme në qytetet “paqësore” të Ukrainës, në një ofensivë që synonte “të shkatërronte shtetin e Ukrainës, të kapte territorin ukrainas me forcë dhe të vendoste kontrollin okupues”.

“Ukraina po pretendon të drejtën e saj për vetëmbrojtje në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se ushtria ukrainase është e gatshme të “zmbrapsë agresorin dhe të mbrojë tokën ukrainase me të gjitha forcat e tyre”.

Thirrje për ndihmë: Nikolenko i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të “veprojë menjëherë”, duke kërkuar që të zbatohen sanksione të reja ndaj Rusisë dhe pajisje ushtarake për të mbështetur aftësitë mbrojtëse të Ukrainës.

“Jeta dhe siguria jo vetëm e qytetarëve ukrainas, por edhe nga siguria e qytetarëve të Evropës dhe e ardhmja e rendit botëror varet nga përgjigja jonë e bashkuar”, shtohet në deklaratë. /


Shtuar 24.02.2022 09:14