Policët holandezë po bashkëpunojnë me bandat kriminale
Sindikatat e policisë holandeze kanë bërë thirrje për trajnime të veçanta për t’iu rezistuar qasjeve të bandave kriminale pasi një raport arriti në përfundim se shkarkimi i dhjetëra zyrtarëve policorë para disa ditësh mund të jetë vetëm "maja e akullnajës".

Gazeta "Algemeen Dagblad" shkroi se raporti konfidencial i policisë konfirmon dyshimet se policët në pjesë të ndryshme të Holandës janë të infiltruar në krim të organizuar. Vetëm në pjesën qendrore të këtij shteti, 19 policë janë zënë duke mbajtur lidhje me botën e krimit.

Sipas kësaj gazete, dhjetëra policë janë suspenduar nga puna në javët e fundit për shkak të shkeljeve dhe dyshimeve për korrupsion në vendin e punës, mashtrime, sjellje joprofesionale, shkelje të sekreteve zyrtare, moskryerje të detyrave dhe keqpërdorim të kompjuterëve të policisë.

Në Utrecht, një zyrtar i lartë policor është shkarkuar dhe po përballet me akuza pasi një dëshmitar zbuloi se ai paguhej nga Ridouan Taghi, një ndër trafikuesit më të mëdhenj të drogës, i cili akuzohet për një varg vrasjesh.

Në provincën jugore të Limburgut, një tjetër komandant policor dhe tre zyrtarë të lartë janë suspenduar për shkak të sjelljes joprofesionale. Vendimi për suspendimin e tyre u mor pas një hetimi që kishte filluar në muajin prill, shkruan "The Guardian".
Shtuar më 16/07/2019, ora 13:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori