“Ah e mjera unë”/ I shpëtoi atentatit në Vaun e Dejës, video nga shpërthimi para shtëpisë, reagimi i nënës së Ndrecës

AlbEu.com ka siguruar pamjet e shpërthimit të makinës së kreut të “Rithemelimit” në Vaun e Dejës, Benard Ndreca.

Siç duket edhe nga pamjet Ndreca del nga shtëpia rreth orës 07:00 të mëngjesit, futet në makinë dhe ndez mjetin tip “Audi”.

Me të nisur makinën ndodh shpërthimi.

Në momentin e shpërthimit të lëndës plasëse në mjetin e Benard Ndrecës, shihet edhe nëna e tij e cila ka shpëtuar gjithashtu mrekullisht nga ky moment.

Ajo vrapon direkt tek i biri, e ëma hap derën e makinës dhe sigurohet që është gjallë.

“Nard more, Nard more, ah e mjera unë”, tha nëna e tij.

Për fat të mirë nuk ka pësuar lëndime asnjëri.

Dyshimet e vetme të Ndrecës lidhen me fillimin e fushatës zgjedhore. Ai thotë se nuk ka konflikte të mëparshme me askënd.

Ndreca i ka bërë thirrje autoriteteve që të zbardhin sa më parë ngjarjen, ndërsa tha se, nuk mbahen dot bashkitë e vendeve me presion.

“Në momentin që ka lëvizur makina nga vendi aty ka qenë shpërthimi. Skam konflikte me asnjë, kjo është e përdorur politikisht. S’më është vendosur mua por kreut të PD së Vaut të Dejës sepse këtu janë të organizuar mirë. S’kam përplasje, as kërcënime. Janë parë pamjet, vijnë dy persona, në orën 1:15 të natës, rreth 7 minuta aty, vendosin eksplozivin dhe largohen. Janë të maskuar.
Thirrja ime është, duke filluar që nga kryeministri: Të distancojnë policinë nga politika. Lërini njerëzit të votojnë të lirë. I bëj thirrje çdo lloj kahu politik, se vullneti i njerëzve dihet se ku shkon, nuk i mbani dot bashkitë e vendeve me presion”, deklaroi ai./albeu.com/