Plani amerikan për mbrojtje nga Rusia, përfshin Kosovën dhe Shqipërinë
Zgjedhjet në disa vende të Ballkanit, por edhe krizat politike në disa të tjera, kanë qenë në fokus të diplomacisë ruse.

Të shumta kanë qenë deklaratat e lëshuara pas zgjedhjeve në Maqedoni. Shumë të ashpra kanë qenë për aderimin e Malit të Zi në NATO. E më e fundit kritikë, për zgjedhjet në Kosovë.

Moska e cilësoi si vijim të radikalizmit të politikës së Kosovës, faktin që fitues doli koalicioni i ish-UÇK-së, me në krye ish-komandantin Ramush Haradinaj.

Por kjo qasje e Moskës, gjithnjë e në rrijte ndaj Ballkanit Perëndimor, por edhe në vende të tjera të Lindjes, ka tërhequr sërish në vëmendjen e Senatit amerikan.

Vetëm pak javë pas depozitimit të rezolutës, e cila kërkonte ndalimin e ndikimit të Moskës në zgjedhjet e disa vendeve, përfshi edhe Shqipërinë, një tjetër kërkesë është depozituar pak ditë më parë në Senat, raporton TCH.

Bëhet fjalë për një nismë te senatorit demokrat, Benjamin Cardin, i cili i kërkon Senatit marrjen e një sërë masash për ndalimin e ndikimit rus në Evropë dhe Euroazi.

Në tekstin e dokumentit, depozituar tashmë në Senat, Cardin kërkon që në buxhetet e viteve 2018-2019, Shtetet e Bashkuara të Amerikës të parashikojnë një buxhet prej 250 mln dollarësh për të ndaluar ndikimin rus në këto zona.

Në listën e shteteve te rrezikuara dhe që do të duhet të përfitojnë nga ky fond janë Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Gjeorgjia, Maqedonia, Moldavia, Kosova, Serbia dhe Ukranina. /albeu.com/

Shtuar më 15/06/2017, ora 22:16

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori