Pjesë të S-400 mbërrijnë në Turqi, por presioni amerikan i mbyll ato në depo
Ministria e Mbrojtjes e Turqisë tha se pjesët e para të sistemeve ruse të mbrojtjes raketore S-400 arritën të premten në Ankara dhe se do të vazhdojnë të arrijnë edhe në ditët në vijim.

Ngarkesa me S-400 u dërgua në bazën ajrore Murted, jashtë Ankarasë, tha përmes një deklarate Ministria turke e Mbrojtjes.

“Kur sistemi të kompletohet, ai do të nisë të përdoret në mënyrën që e përcaktojnë autoritetet përkatëse”, thuhet po ashtu në deklaratë.

Shërbimi Federal i Rusisë për Ushtri dhe Bashkëpunim teknik e konfirmoi fillimin e dërgesave.

Por, kjo marrëveshje e Turqisë me Rusinë i ka dëmtuar marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara.

SHBA-ja thotë se raketat S-400 janë kërcënim për avionët e saj luftarakë F-35. SHBA-ja i ka kërkuar Turqisë t’i anulojë blerjet; në të kundërtën, ka paralajmëruar se Turqia mund të përballet me sanksione.

Ndërkohë, ministria e Mbrojtjes e Turqisë ka garantuar se sistemi raketor do të mbahet në baza ushtarake dhe jo në gatishmëri duke shmangur kështu gjurmimin e avionëve të NATO-s me teknologjinë ruse.

Kjo stepje e Turqisë erdhi pas presionit të madh të amerikanëve të cilët pritet të miratojnë një mori sansksionesh nëse regjimi do të tentojë përdorimin e raketave.
Shtuar më 12/07/2019, ora 12:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori