Përmbytjet shkaktojnë tragjedi në Afrikë, 700 të vdekur
Autoritetet në Mozambik dhe shtetet tjera në pjesën jugore të Afrikës kanë njoftuar se numri i përgjithshëm i personave të vdekur nga cikloni Idai është rreth 700.

Ministri i mjedisit në Mozambik, Celso Correia, tha se numri i të vdekurve në këtë shtet të shtunën ka shkuar nga 242 në 417. Kjo shifër e çon në rreth 700 numrin e përgjithshëm të viktimave, duke përfshirë edhe shtetet tjera, si Zimbabvenë dhe Malavin. Sidoqoftë, ky numër pritet të rritet ende.

Stuhia ka vrarë të paktën 259 njerëz në Zimbabve dhe 56 të tjerë në Malavi, ku ka pasur reshje të mëdha të shiut pas ciklonit Idai. Megjithatë, Kombet e Bashkuara kanë deklaruar se numri i saktë i viktimave do të mund të përcaktohet vetëm pasi të largohet uji i vërshimeve.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinim të Çështjeve Humanitare ka njoftuar të shtunën se lumenjtë Buzi dhe Zambezi mund të dalin sërish nga shtretërit e tyre, me ç’rast do të vihej në rrezik jeta e mijëra njerëzve.

Besohet që nga këto vërshime janë prekur rreth 1.7 milionë njerëz në pjesën jugore të Afrikës. Banorët e kësaj pjese të kontinentit kanë mbetur pa rrymë dhe ujë të pijes. Shtëpitë e tyre janë vërshuar dhe janë shembur, ndërsa rrugët janë shkatërruar nga vërshimet.
Shtuar më 24/03/2019, ora 10:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori