Përmbytjet në Maqedoni/ Aktivizohet mekanizmi i BE për mbrojtjen civile
Mekanizmi i Bashkimit Evropian për Mbrojtje Civile është aktivizuar dhe ekipi i parë i ekspertëve të BE-së është dërguar në Maqedoni pas vërshimeve.

KE njoftoi se sot Republika e Maqedonisë e aktivizoi Mekanizmin e BE-së për mbrojtje civile pas përmbytjeve të rrëmbyeshme dhe rrëshqitjes së tokës të cilat ua morën jetën shumë personave në periferi të kryeqytetit të Shkupit.

Një ekip ekspertësh teknikë do të mbërrijë më 9 gusht për të bërë vlerësimin e dëmit të shkaktuar dhe dha rekomandime për autoritetet për mbrojtje civile në nivel lokal dhe nacional.

"BE është e gatshme t'i ofrojë ndihmë IRJM tani kur më së shumti i nevojitet. Për momentin, ne jemi në kontakt me autoritetet në Shkup dhe me vendet e tjera të cilat janë pjesë e Mekanizmit për koordinim me qëllim që të sigurojmë përgjigje të shpejtë për kërkesën.

Një ekspert për ndihmë humanitare tashmë është dërguar dhe një ekip për mbrojtje civile pritet të mbërrijë nesër.

Apeloj që sa më parë të mbërrijnë oferta për ndihmë. Gjithashtu, ne jemi të gatshëm të sigurojmë ndihmë humanitare nëse është e nevojshme", deklaroi Hristos Stilianides, komisar i BE-së për ndihmë humanitare dhe ballafaqim me kriza.


Krahas dërgimit të ekspertëve, Komisioni, gjithashtu, do furnizojë shërbimet të cilat veprojnë në rajonet e goditura, me fotografi nga sateliti “Kopernik”.

Në njoftim theksohet se më 6 gusht, përmbytje të mëdha e përfshinë Maqedoninë, 93 centimetra shi ra në Shkup gjatë një stuhie - më tepër se niveli mesatar i reshjeve për tërë muajin gusht.

"Në përmbytjet humbën jetën 22 persona ndërsa një pjesë e madhe janë lënduar. Seriozisht janë dëmtuar shtëpi dhe infrastrukturë kryesore, ndërsa më shumë se mijëra persona janë evakuuar.

Partnerët humanitarë të Komisionit Evropian janë të pranishëm në vendi që t'i përkrahin aktivitetet e Bashkimit Evropian dhe në mënyrë shtesë i vlerësojnë nevojat për ndihmë humanitare", shkruhet në njoftimin e KE-së.

Mekanizmi për Mbrojtje Civile të BE-së mundëson koordinimin e aktiviteteve gjatë katastrofave natyrore midis 34 vendeve evropiane (28 anëtareve të Unionit, Maqedonisë, Islandës, Norvegjisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Turqisë).

"Këto vende pjesëmarrëse i ruajnë kapacitetet që mund të vendosen në dispozicion të vendeve të goditura nga katastrofa në tërë botën. Kur është në fuqi, Mekanizmi i koordinon aktivitetet për sigurimin e ndihmës në dhe jashtë Bashkimit Evropian, citohet në njoftim.

Ndihmë përmes Mekanizmit për Mbrojtje Civile të Bashkimit Evropian iu dha Maqedonisë edhe për përmbytjet e gushtit të vitit të kaluar. /albeu.com/
Shtuar më 08/08/2016, ora 21:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori