Përmbytje masive në Japoni, shpërngulen 800 mijë persona
Gati 800 mijë njerëz në tri qytete të ndryshme të Japonisë janë urdhëruar që të zhvendosen nga shtëpitë dhe banesat e tyre për shkak të rrezikut nga rrëshqitja e dheut dhe vërshimet që u shkaktuan nga reshjet e vazhdueshme të shiut.

Kagoshima, Kirishima dhe Aira, qytete që ndodhen në rajonin e Kagoshimas në ishullin Kyushu, kërkuan nga qytetarët e tyre që menjëherë të shkojnë në vende më të sigurta.

Një grua e moshuar në Kagoshima vdiq pasi shtëpia e saj u godit nga rrëshqitja e dheut. Kryeministri japonez, Shinzo Abe, ka kërkuar nga qytetarët që të ndërmarrin masa për ta mbrojtur jetën e tyre.

Rreth 310 mijë njerëz në Miyazaki janë paralajmëruar për rrezikun e motit të lig dhe nga ta është kërkuar që të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.

Zyrtarët e motit thanë se një mijë milimetra shi kanë rënë në ishullin Kyushu nga e premtja e kaluar, ndërsa Agjencia Japoneze e Meteorologjisë ka parashikuar se reshjet do të vazhdojnë deri javën e ardhshme.

Korrikun e kaluar, rreth 200 njerëz patën vdekur në pjesën perëndimore të Japonisë për shkak të një prej vërshimeve më të rënda në histori të këtij shteti. Shifra e viktimave vitin e kaluar ishte më e larta që nga vërshimet e vitit 1982.
Shtuar më 03/07/2019, ora 11:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori