Deputeti shqiptar në Mal të Zi: Ka mundësi reale që Abazoviç të bëhet kryeministër

Mbrëmë është rrëzuar qeveria në Malin e Zi. Për të njoftuar më shumë rreth situatës dhe të rejave atje, deputeti nga koalicioni shqiptar në Mal të Zi “Bashkë nji za”, Fatmir Gjeka, është lidhur drejtpërdrejt në edicionin e lajmeve në T7.

Gjeka në T7 u pyet për mundësinë që Dritan Abazoviç të bëhet kryeministri i ri në Mal të Zi dhe deputeti tha se ka mundësi reale që kjo gjë të ndodhë.

“Mund të flitet dhe ka mundësi reale, megjithëse derisa të ndodhë kjo dhe derisa shkojnë bisedimet për t’u formuar qeveria e re, por në këtë kahje është duke shkuar situata. Dritani apo kushdo qoftë, detyrat e tij janë ato që i ceka më lartë (integrimi drejt Perëndimit)”, ka thënë Gjeka.

Tutje, deputeti shqiptar në Mal të Zi tha se qeveria që ra dje, ka gjashtë muaj që ka humbur besimin, e dje është rrëzuar edhe formalisht.

“Qeveria e 42-të e Malit të Zi, ka ndodhur që te ketë një iniciativë për votëbesim dhe të ketë notë negative nga parlamenti etë bie. Ka qenë më se e ditur që kjo qeveri do ta ketë jetën e shkurtër, duke ditur që në fillim subjektet shumicë kanë pasur rrugë të ndryshme. Ka më shumë se gjashtë muaj që qeveria s’e ka shumicën, por formalisht ka rënë mbrëmë”, ka thënë Gjeka.

“Na presin punë tjera, pikësynimet tona janë që Mali i Zi të vazhdojë rrugën për integrim në Bashkimin Evropian. Kemi një vit të cilin e kemi humbur kot për integrimin në BE, duke ditur që Mali i Zi është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka hapur të gjitha kapitujt me BE-në sa i përket integrimit. Tash kemi marrë raportin më negativ gjatë viteve të fundit në vitin e kaluar, si rezultat i sjelljes së kësaj qeverie që për fat të mirë, dje ra”, ka thënë deputeti shqiptar në T7.

Gjithashtu, Gjeka tha se deputetët shqiptarë në Mal të Zi, gjithmonë kanë qenë ata që i kanë dhënë shtytje Malit të zi për integrim drejt perëndimit, e se edhe kjo do të jetë pika kryesore e diskutimit në bisedimet që do të zhvillohen rreth qeverisë së re atje.

“Për fat të mirë, duhet t’i rikthehemi detyrave që kemi para nesh. Përfaqësuesit shqiptar kanë qenë gjithmonë ata që i kanë dhënë shtytje Malit të Zi në integrimin në NATO dhe BE. Pikat kryesore që na presin janë që nëse vjen te formimi i një qeverisje të re, pikat kryesore do të jenë temat për t’u integruar në BE”, shtoi Gjeka. /Express


Shtuar 5.02.2022 22:45