“Shqipëria renditet e fundit në rajon”, Meta publikon klasifikimin botëror të cilësisë së universiteteve: Sinjal alarmi, thirrje qeverisë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka publikuar ditën e sotme në rrjetin e tij social Facebook, një pjesë të renditjes nga “Ranking Web of Universities”.

Në këtë renditje Shqipërisë zë vendin e 3786.

Sipas Metës, kjo renditje është një tronditje e rëndë e cilësisë së arsimit të lartë në vend dhe sinjal alarmi për të gjithë shoqërinë.

Meta thotë se kjo është një thirrje për reflektim nga ana e qeverisë, Kuvendit dhe shoqërisë civile për të ndërmarrë reforma reale dhe të besueshme.

Postimi i Ilir Metës:

Renditja e Shqipërisë, e fundit në rajon në klasifikimin botëror të cilësisë së universiteteve sipas “Ranking Web of Universities” por edhe sistemeve të tjera të besueshme të vlerësimit akademik, është tregues i tronditjes së rëndë të cilësisë së Arsimit të Lartë dhe sinjal alarmi për shoqërinë në tërësi.
Është një thirrje për reflektim të menjëhershëm nga Qeveria, Kuvendi dhe shoqëria civile në tërësi për ndërmarrjen sa më parë të reformave reale dhe të besueshme për rivendosjen e standardeve të larta konkurruese dhe uljen e fiktivitetit në Arsimin e Lartë.
Këto reforma strukturore e funksionale dhe veçanërisht depolitizimi i sistemit arsimor, janë kusht dhe domosdoshmëri për rritjen e besimit dhe shpresës te të rinjtë tanë për të studiuar, qëndruar dhe ndërtuar jetën dhe karrierën e tyre në Shqipëri.
Të rinjtë e mirëarsimuar dhe të kualifikuar janë pasuria më e vyer e vendit dhe kapitali më i çmuar njerëzor. Arsimi duhet kthyer në përparësi kombëtare për të ndalur fenomenin e shpopullimit dhe garantuar zhvillim të qëndrueshëm, progres dhe të ardhme të sigurt europiane./albeu.com