Partia e Rahojit fitoi në zgjedhjet në Spanjë, por nuk ka shumicë
Sërish nuk është arritur që të zgjidhet ngërçi politik në Spanjë. Zgjedhjet e përsëritura të dielën dhe pse kanë renditur të parët konservatorët e kryeministrit Mariano Rajoy me 137 vende në Parlament, 14 më shume se në zgjedhjet e dhjetorit, sërish nuk i arritën dot 176 vendet e nevojitura për një mazhorancë të plotë.

Përpjekjet për krijimin e qeverisë, sipas Rajoyt, përfshijnë bisedime me të gjitha palët në këtë proces. "Nga nesër do të na duhet të flasim me të gjithë, e këtë do të bëjmë. Bisedimet do të realizohen me një qëllim të vetëm, atë të mbrojtjes së Spanjës dhe të çdo spanjolli. Për këtë arsye jemi këtu", tha Mariano Rajoy, kryeministër në detyrë i Spanjës.

Mes opsioneve të krijimit të ekzekutivit renditet ajo e një aleance të qendrës së djathtë mes partisë popullore “PP” dhe liberalëve të “Ciudadanos”; një koalicion i madh i stilit gjerman mes “PP”-së dhe socialistëve; apo e fundit, një administratë minorance e konservatorëve.

Socialistët ishin gjithsesi të kënaqur nga zgjedhjet. "Pavarësisht vështirësive të jashtëzakonshme që i është dashur të kapërcejë, pavarësisht parashikimeve të zymta dhe një humbjeje të peshës në jetën kolektive të vendit, Partia Socialiste e rikonfirmoi veten si partia hegjemonike e së majtës", tha Pedro Sanchez, kryetar i PS në Spanjë.

Ndërkohë, mes të majtëve të “Podemos”-it mbizotëron zhgënjimi. Anketimet parazgjedhore i rendisnin përpara socialistëve, por këta të fundit arritën të siguronin më shumë vende nga sa pritej.

Për çdo rast, udhëheqësi i aleancës radikale kundër masave antikrizë, Pablo Iglesias tha se forca politike që ai drejton nuk do të dorëzohet. Muajin e kaluar, Mbreti Felipe e shpërndau Parlamentin pas skadimit të afatit për formimin e një qeverie. Kjo është hera e parë që Spanja përsëriti zgjedhjet, që nga viti 1975 kur sistemi kaloi në demokraci. /albeu.com/
Shtuar më 27/06/2016, ora 12:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori