Parlamenti i Ukrainës votoi që Janukoviç të gjykohet në Hagë
Parlamenti i Ukrainës ka votuar pro dërgimit të presidentit të shkarkuar Viktor Janukoviç në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë. Ish presidenti Janukoviç është arratisur prej ditësh dhe nuk dihet vendndodhja e saktë e tij.

Rezoluta e mbështetur nga shumica e asamblesë e lidh ish-kreun e shtetit, i cili prej ditësh është në arrati, me dhunën policore të përdorur kundër protestuesve e cila shkaktoi vdekjen e më shumë se 100 mbështetësve të opozites dhe plagosjen e 2.000 të tjerëve.

I njëjti dokument del në përfundimin se dy aleatë të ngushtë të Janukovicit, ish-ministri i Brendshëm Vitaly Zakharchenko dhe ish-prokurori i Përgjithshëm, Viktor Pshonka, të cilët janë shpallur në kërkim duhet të përgjigjen para drejtësisë në Hagë.

Parlamenti i Ukrainës i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare Penale me kërkesën e gjykimit të zyrtarëve të lartë, vendimet e të cileve çuan drejt në vrasjen masive të qytetareve ukrainas gjatë protestave paqësore të 21 dhe 22 shkurtit 2014”, deklaroi Oleksandr Turchinov, President i Përkohshëm i Ukrainës.

“Të gjithë ata që kanë mbajtur poste qeveritare, të gjithë ata që kanë pasur poste drejtuese në strukturat e zbatimit të ligjit, të gjithë ata që dhanë urdhra dhe ata që i zbatuan do të ndëshkohen pa asnjë përjashtim. Ne nuk harrojmë”, tha Oleh Tyahnibok, kryetar i Partisë Nacionaliste, Svoboda.

Nga Kievi shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian premtoi një mbështetje më të madhe ndërkombëtare për Ukrainën. Shefja e diplomacisë europiane theksoi se institucionet financiare perëndimore po punojnë për ta ndihmuar ekonominë ukrainase të rimëkëmbet pas tre muajve protesta politike.

Deklaratat e saj vijnë në kohën kur planet për ngritjen e një qeverie të unitetit kombëtar u shtynë nga parlamenti për të enjten, me argumentin se kjo vonesë synon të lejohen konsultime të reja për këtë çështje. /albeu.com/
Shtuar më 26/02/2014, ora 11:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori