Silva Bino jep lajmin e mirë: Kemi zbehje të epidemisë së koronavirusit në Shqipëri

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë Silva Bino ka deklaruar se Shqipëria ka një zbehje të epidemisë së koronavirusit.

Ky lajm i mirë vjen pas zbatimit të rregullave të distancimit social në vendin tonë.

Në një intervistë për “360 gradë”, Bino u shpreh: “Nga masat e distancimit fizik kemi një lloj zbehje të kësaj epidemie. Parandaluam përhapen e gjerë komunitare të virusit. Këto elemente duhet t’i monitorojmë hap pas hapi.

Rasti i parë është në 9 mars, por gjatë evidentimit të rasteve, ne vumë re që kishte disa raste që shenjat kishin filluar në datë 28 shkurt.

Ne nuk kemi pasur epidemi në atë kohë, sepse nuk të fal, pasi do të kishim grumbullime dhe vdekje në spitale. është një sëmundje që lë shenjën e vet.”

Bino theksoi sërish se mund të ketë patur qarkullime sporadike të rasteve në shkurt.

“Pra, nuk kemi pasur epidemi në janar, apo në shkurt siç është thënë nga disa ekspertë, pasi kjo është një sëmundje që lë gjurmë dhe kemi pasur qarkullim intensiv të gripit”, sqaroi Silva Bino.


Shtuar 20.04.2020 20:17