Trump do t’i listojë si terroristë, kush i nxiti protestat e dhunshme për vrasjen e Floyd

Presidenti Donald Trump dhe disa prej zyrtarëve të lartë të administratës së tij akuzojnë për aktet e dhunës, provokatorë “të së majtës radikale”. Prokurori i Përgjithshëm William Barr e ka drejtuar gishtin tek “grupet ekstremiste të majta”, përfshirë Antifa-n, një rrjet grupesh autonome të majta që zbatojne praktika përplasjeje për të arritur qëllimet e tyre politike.

Disa guvernatorë demokratë nga ana e tyre kanë fajësuar grupet e ekstremit të djathtë, duke vënë theksin edhe tek një njoftim i kësa jave nga gjigandi i medias sociale “Twitter” se kishte pezulluar për nxitje të dhune, një llogari të lidhur me një grup nacinalistësh të bardhë të quajtur, “Identity Evropa”. Llogaria ishte krijuar me një profil të rremë të Antifa-s dhe ishte e lidhur me llogari të tjera false që furnizonin vazhdimisht me informacione false e provokuese, duke akuzuar autoritetet dhe kompanitë që ofrojnë shërbimin e internetit për censurimin e lajmeve që lidheshin me protestës.

“Facebook-u” njoftoi gjithashtu këtë javë se kishte pezulluar disa llogari të lidhura me grupe të bardha nacionaliste, pasi ato nxisnin njerëzit që të sillnin armë në protesta. Ndërkohë, anëtarët e të ashtuquajturës lëvizja “Boogaloo”, një grup amorf i ekstremit të djathtë e të majtë, janë parë të marrin pjesë në protesta në disa shtete, përfshirë Minesotën, Teksasin dhe Pensilvaninë, veshur këmisha me motive të Havait, shenjë identifikuese e tyre. Disa përkrahës të “Boogaloo” janë pjesë e një lëvizjeje më të gjerë të supremacistëve të bardhë të quajtur “accelerationists” të cilët janë pro trazirave civile dhe dëshirojnë të nxisin polarizimin e dhunshëm politik, duke shpresuar se do të përfundojë me rrëzimin e rendit aktual politik të SHBA.

Studiuesit e Projektit Kundër ekstremizmit (CEP), një organizatë ndërkombëtare që merret me hartim politikash, themeluar për të monitoruar dhe luftuar grupet ekstremiste, thonë se supremacistët e bardhë dhe neo-nazistët kanë festuar javën e kaluar mbi traziratt në rrugë. Në kanalin e tyre në “Telegram” një grup i dhunshëm neo-nazist, njoftohet se u kishte rekomanduar 5,500 ndjekësve se një protestë e madhe do të siguronte mundësinë e përsosur për të kryer një vrasje. CEP tha se në një tjetër kanal në “Telegram” u tha se ishte koha e duhur për të sulmuar sinagogat ndërsa punonjësit e zbatimin e ligjit janë të shpërqëndruar nga trazirat civile.

Por vazhdon të jetë e paqartë se deri në çfarë mase grupet radikale të së majtës apo të djathtës ekstreme kanë qenë në gjendje të orkestrojnë akte dhune.

Zëvendës shefi i policisë së Nju Jorkut për Zbulimin dhe Kundër Terrorizmit John Miller, beson se anarkistët dhe grupet radikale të majta kanë ushqyer aktet e dhunës në qytet.

“Para se të fillonin protestat, organizatorët e grupeve të caktuara anarkiste u organizuan për mbledhjen e parave për të garantuar lirimin me kusht si dhe njerëzve që do të merreshin me këtë gjë. Ata kishin si qëllim të rekrutonin mjekë dhe ekipe mjekësore me pajisje, në pritje të një përplasjeje të dhunshme me policinë“, tha ai.

Zoti Miller shtoi se “ata u përgatitën për të kryer dëmtime pronash dhe u kërkonin njerëzve që i ndiqnin që kjo gjë të bëhej në mënyrë selektive dhe vetëm në zona të pasura ose në dyqane që tregtojnë mallra të shtrenjta në pronësi të korporatave“. Një në shtatë nga ata që u arrestuan në Nju Jork për vepra të paligjshme kundër rendit publik ishin nga jashtë qytetit, gjë që sic thonë zyrtarët është një fakt që krijon dyshime.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit në disa shtete të kontaktuar nga “Zëri i Amerikës” thonë se ata besojnë se aktorët nga jashtë një shteti u futën në mesin e protestuesve të komunitetit lokal që demostronin paqësisht. Por ata e pranojnë se ende po përpiqen të vlerësojnë se sa kanë qenë në gjendje provokatorët që të orientojnë rrjedhën e ngjarjeve në rrugë. Disa zyrtarë thonë se nuk duhet shumë për t’i vënë zjarrin situatës dhe për të nxitur turma në një gjendje të shqetësuar, apo pasionantë, duke krijuar një cikël të dyanshëm dhune.

Analistët dhe studiuesit që merren me grupet radikale thonë se kanë pak dyshime nëse ekstremistët ishin të përfshirë në aktet e dhunës gjatë protestave.

“Do të duhet kohë për të zbuluar nëse rrjetet ekstremiste janë përfshirë ose jo” i tha “Zërit të Amerikës”, Brian Levin, profesor i drejtësisë penale në universitetin shtetëror të Kalifornisë, San Bernardino dhe drejtor i Qendrës për Studimin e Urrejtjes dhe Ekstremizmit.

“Disa prej të arrestuarve duket se janë të lidhur me të majtën ekstreme, por të tjerë duket se janë nga e djathta. Disa nga prej tyre thjesht mund të jenë manipulatorë që nxisin situata për emocione momenti ose janë kriminelë oportunistë dhe jo vetëm ideologë, të tjerët individë të paparashikueshëm“, shtoi ai. Dallimi mes tyre mund të jetë i vështirë. “Ne kemi një peizazh socio-politik shumë të fragmentuar aktualisht në Amerikë dhe me në kushtet kur institucionet janë nën stres, përfshirë pandeminë dhe zgjedhjet mendoj vërtet se duhet të rivlerësojmë përmasën e kërcënimit. Ekziston një rezervuar i thellë për rekrutë të mundshëm ekstremistë“, shton ai. /VOA


Shtuar 5.06.2020 08:57