Një tjetër rast sulmi terrorist është regjistruar në Bruksel ku dy efektivë policie janë
goditur me thikë nga një person i armatosur.
Sipas policisë lokale, personi i armatosur me thikë ka
goditur në qafë një oficer policie, ndërsa tjetrin e ka
goditur në stomak, në zonën “Schaerbeek” të
qytetit.
Autori u largua nga vendngjarja, por më pas u ndalua nga një grup i dytë policësh të cilët e qëlluan me armë zjarri në këmbë.
Sulmuesi, i cili raportohet se është 43-vjeç dhe me shtetësi
belge, gjithashtu i ka thyer hundën një polici të tretë.
Mësohet se oficerët e plagosur, të cilët ishin veshur civil, nuk janë në rrezik për jetën.
Eric Van Der Sypt, një zëdhënës i prokurorisë federale
belge tha: “Ne kemi arsye të besojmë se incidenti ishte një
sulm terrorist.”
Belgjika ka qenë në gatishmëri të lartë pas shpërthimeve në mars, kur u vranë 32 persona në aeroportin e
qytetit dhe metro.
Më herët gjatë ditës së sotme, stacioni hekurudhor “Gare du Nord” në kryeqytetin belg u mbyll për një orë për shkak të një alarm për bombë. /albeu.com/
Shtuar më 05/10/2016,
ora 17:04