Pagat e të mëdhenjve të planetit, Bush merr rrogën më të madhe
Albeu.com
Edhe pse kanë të njëjtin post, pavarësisht vendeve, paguhen në mënyra të ndryshme e shpesh me diferenca të mëdha njëri nga tjetri. Bush merr rrogën më të madhe, ndersa Nikolas Sarkozi e Vladimir Putin, në fund të klasifikimit me të ardhura thuajse normale.Kështu, Romano Prodi, Kryeministri i Italisë, ka një rrogë trefish më të lartë se homologu i tij, Sarkozi, dhe vetëm 2 mijë euro e ndajnë nga kancelarja Merkel. Përveç kësaj të fundit, tre janë liderët që fitojnë më shumë në muaj. E fillojmë nga më "i pasuri", Presidenti amerikan, Bush, i cili merr një pagë prej 24167 eurosh në muaj. Ky pasohet nga britaniku Gordon Braun dhe shefi i kabinetit të ministrave të Japonisë, Shinzo Abe. Pagat e më të fuqishmëve të planetit janë pasqyruar në një artikull të të përditshmes gjermane, "Bild". Pushimet luksoze të Sarkozisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës- ai vetë tha se e kishin ftuar -në një vilë me shifra astronomike, kanë ndezur shumë polemika. Gazeta "Bild" tregon xhepat e liderëve të vendeve më të industrializuara të botës, përveç Kryeministrit kanadez. Sipas renditjes, në vendin e fundit të listës është Kina. Lideri i saj merr rrogën më modeste të imagjinueshme, 274 euro në muaj. Nga shifrat e tjera, gjithmonë nëse ato janë 100% të vërteta, kemi shumë surpriza. Nuk të surprizon fakti që kreu i Shtëpisë së Bardhë, Xhorxh Bush, merr një pagë prej 24 mijë eurosh, apo që edhe Kryeministri britanik, Gordon Braun, i përafrohet Bushit me 1000 euro më pak, edhe pse në krahasim me homologët evropianë ai është më i mirëpaguari, por të çudit disi paga e Kryeministrit të fuqisë së dytë ekonomike në botë, Japonisë, Shinzo Abe, me 21 mijë euro në muaj, duke qenë se pagat në Japoni janë relativisht të ulëta. Menjëherë pas tij vjen një tjetër fuqi ekonomike, Gjermania, me Merkelin, e cila paguhet rreth 20 mijë euro. Jo më kot Berlini është gjigandi i tretë i planetit. Surprizë përbën në fakt edhe paga e Kryeministrit italian, Romano Prodi, me rreth 19 mijë euro dhe 6600 eurot e shkreta të Sarkozisë, Presidentit të Francës. Për Sarkozinë është vërtet e padrejtë po të kihet parasysh pushteti i tij dhe fakti që në duart e tij ndodhen plot 370 bomba atomike. I keqpaguar për punën që bën është Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, me 4800 euro dhe në fund më i "shfrytëzuari" dhe i "lëni pas dore", Hu Jinjtao i Kinës, me 274 euro në muaj, që nuk dihet se përse i përdor më parë. Por të mos harrojmë faktin se në Moskë, si pasojë e zakoneve e rregullave të vjetra që nga epoka e komunizmit, një shtetar i lartë i ka të gjitha shpenzimet falas, duke filluar që nga të ngrënit e deri te banesa. Sigurisht që shifrat e mësipërme nuk përfshijnë përfitime të tjera si siguracione, dieta udhëtimesh, apo shpenzime protokolli si veshje, dreka e darka etj. Megjithatë, ekziston një shpjegim në lidhje me sasinë e madhe mes Prodit dhe Sarkozisë. Lideri italian merr rreth 5000 euro vetëm për detyrën si Kryeministër dhe 11 mijë të tjera si deputet i Parlamentit. Ndërkohë, në Francë vazhdojnë të marrin edhe pas ikjes nga detyra, cilado qoftë ajo: ish-president, ish-kryeministër, ish-deputet etj., një pension shumë të mirë dhe thuajse sa vetë rroga për një kohë të gjatë. Kështu, për shembull, Shiraku, veç 6000 eurove si numri një i shtetit që vazhdon t‘i marrë, merr edhe 5300 euro si ish-deputet, 5000 të tjera si kryetar bashkie i Parisit, 2900 si këshilltar i një gjykate. Tani, veç këtyre pensioneve, merr edhe 12 mijë euro në muaj si anëtar i Këshillit Kushtetues, detyrë që i takon si ish-president i vendit. Sarkozi është më i ri, por ka qenë ministër i Brendshëm, ministër i Ekonomisë e më parë akoma kryetar bashkie, pra të gjitha së bashku bëjnë goxha shumë. G. Shqip
Shtuar më 15/08/2007, ora 12:50
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori