OKB i kërkon Rusisë lirimin e 24 marinarëve Ukrainas
Tribunali i Kombeve të Bashkuara për çështje detare ka vlerësuar se Rusia duhet t’i lirojë menjëherë 24 marinarët e Ukrainës dhe tri anijet e tyre, të cilat autoritetet ruse i kishin kapur në nëntor të vitit të kaluar.

Tribunali Ndërkombëtar për Ligjin e Detit me bazë në Hamburg të Gjermanisë e mori këtë vendim pasi rasti ishte paraqitur nga autoritetet ukrainase kundër forcave ruse të sigurisë.

Rusia i kishte rrëmbyer tri anijet afër urës së Ngushticës së Kerçit në nëntor të vitit të kaluar. Kjo ngushticë lidh pjesën kontinentale të Rusisë me gadishullin e Krimesë.

Presidenti i këtij tribunali, Jin Hyun Paik, tha se gjykatësit kanë vendosur që Rusia duhet t’ia kthejë menjëherë tri anijet Ukrainës dhe t’i lirojë marinarët që të kthehen në Ukrainë.

Ministria e Jashtme e Rusisë reagoi ndaj këtij vendimi, duke thënë se Konventa e Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit nuk mund të zbatohet në mosmarrëveshjen për incidentin e Ngushticës së Kerçit.

Ukraina i ka mohuar pretendimet e Rusisë se këto anije kishin hyrë në ujërat territoriale ruse në mënyrë ilegale.

Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe organizata tjera ndërkombëtare i kanë bërë thirrje Moskës që t’i lirojë marinarët dhe t’ia kthejë anijet Ukrainë.
Shtuar më 25/05/2019, ora 14:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori