Gjendja e Hazard, trajneri i kombëtares belge: Rikuperimi po ecën mirë

Eden Hazard është një nga lojtarët që këtë periudhë pezullimi për shkak të koronavirusit po përdorim për rikuperim nga dëmtimi.

Ylli i Real Madrid, Eden Hazard, ka pasur një operacion në kyçin e këmbës dhe tashmë është në fazën e rikuperimit.

Për situatën e lojtarit ka folur selektori i kombëtares së Belgjikës, Roberto Martinez, i cili ka thënë se gjenda e Hazard është duke u përmirësuar.

“E di se po rikuperohet mirë. Ai nuk është larg vrapimeve dhe nuk ka komplikime. Çdo gjë shkoi mirë me operimin, po duhet shpresuar gjithashtu që gjithçka shkon mirë pas katër apo pesë javëve pasuese”, ka thënë Martinez, i pyetur për situatën e Hazard.

“Ne e dimë se ai do të kthehet më i forte. Ishte fat i mirë që ky operim u krye para përhapjes së pandemisë Covid-19. Përndryshe, ai nuk do të ishte i gatshëm të udhëtonte ose të trajtohej jashtë Madridit. Kam ndjenjën pozitive që Eden do të kthehet së shpejti”, ka shtuar selektori i Belgjikës.

Hazard kaloi nga Chelsea te Real Madrid për 100 milionë euro, por karriera e tij në Spanjë nuk po ecën më së miri. Ai ka humbur më shumë ndeshje në një sezon me ‘Los Blancos’, sesa në gjithë aventurën me Chelsea..


Shtuar 20.04.2020 08:27