Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami për emisionin “200” në Alsat demantoi se ai ose deputeti nga partia e tij mund të jetë pjesë e shumicë parlamentare.

Sipas tij, organet partiake të Lëvizjes Besa kanë vendosur që të shkojnë në opozitë.

“Deputetët e Lëvizjes Besa me vullnet të plotë janë në këtë pjesë e opozitës. Unë kam besim të plotë te dy deputetët e partisë sime, ashtu siç kishte besim të plotë te tre deputetët”, tha Kasami.

Ai shprehet i bindur se në shumicën e re parlamentare partia e tij nuk do të jetë pjesë e qeverisë.

“Qëndrimi i Lëvizjes Besa është rrëzimi i qeverisë. Në momentin kur do të bie qeveria, ne vlerësojmë se do të krijohet situatë e re, shumicë më ndryshe, shumë më stabile”, tha Kasami.

Ai nuk përjashton mundësinë për bashkëpunim të ardhshëm me LSDM-në por as me OBRM-PDUKM-në, por sipas tij, duhet të bazohet në marrëveshje me për përparimin e vendit drejt BE-së.

Kasami në mënyrë kategorike përjashtoi mundësinë të jetë pjesë e qeverisë ku do të merrte pjesë BDI, ndërsa bashkëpunimin me partitë opozitare e konsiderojnë të domosdoshëm. /Telegrafi/