Rama i prerë me rregullat e reja: Asnjë makinë jashtë zonave të gjelbra!

Kryeministri Edi Rama iu ndau disa detyra të rëndësishme kryebashkiakëve të disa bashkive, të cilat i ka futur në zonën e gjelbër dhe ka dhënë dritën jeshile për lehtësim të masave kundër koronavirusit, siç janë bashkitë e Dibrës, Gjirokastrës, etj, ku virusi ka përhapje shumë të vogël.

Në një komunikim live përmes “Facebook” me kryebashkiakët, Rama iu kërkoi atyre të marrin masa personalisht për zbatimin e masave të reja të marra për këto bashki, ku do të lejohet lëvizja e njerëzve, por me disa kufizive.

Duke u ndalur te pensionistët, kryeministri tha se do të lejohen të lëvizin çdo ditë deri në orën 08:30, por duke qenë se janë më delikatët, kryebashkiakët duhet t’i shohin me shumë kujdes dhe me vëmendje të veçantë.

“Risku i ulët nuk do të thotë që ju jeni në zona të paprekshme, sikundër nuk do të thotë se nëse rregullat nuk zbatohen, zona nuk mund të kthehet nga e gjelbër në të kuqe. Doja të komunikoja drejtpërdrejt me ju, që të merrni masat personalisht. Ndiqni nga afër gjithë zhvillimin e kësaj hapjeje pas një periudhe jo të vogël të mbyllur. Ju them së pari se do të ketë një fashë të veçantë për pensionistët cdo mëngjes, pra që deri në orën 08:30 të mëngjesit pensionistët do të kenë mundësi për lëvizje, për të marrë ajër, dhe në këtë fashë nuk do të ketë këmbësorë të tjerë, vetëm ata që do të kenë autorizimin për të shkuar në punë.

Është shumë delikate çështja e të moshuarve, ndaj dhe duhet shumë kujdes e vëmendje nga ana juaj, që të garantohet që kjo orë nuk do të kthehet në problem. Pastaj, mund të lëvizin gjithë të tjerët, por me kushtin jo më shumë se dy persona në ecje dhe në asnjë mënyrë makinat të lëvizin jashtë zonës. Kjo do të thotë që makinat mund të lëvizin vetëm brenda Qarkut të Dibrës, Gjirokastrës, por jo të dalin në qytetet e tjera”, tha Rama.


Shtuar 24.04.2020 17:38