Obama i kërkon Putinit të largojë trupat nga Ukraina
Presidenti i SHBA-së Barack Obama, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Rusisë Vladimir Putin.

Gjatë bisedës Obama ka shprehur shqetësimin e tij për mbështetjen e Rusisë për pro-separatistët në Ukrainë.

Shtëpia e Bardhë njofton se Obama ka theksuar se Moska do të përballet me kosto të tjera nëse aksionet e saj në Ukrainë vazhdojnë. Ai i ka bërë thirrje Putinit që të shfrytëzojë ndikimin e tij te grupet e armatosura pro-ruse dhe t'i bindë ato të lënë ndërtesat që kanë uzurpuar në lindje të Ukrainës.

Presidenti amerikan i ka thënë homologut rus se Moska duhet t'i tërheqë trupat e saj nga kufiri me Ukrainën për të reduktuar tensionet.

Ndërsa Kremlini, ka njoftuar se Putin i ka thënë presidentit Obama se Rusia nuk është e përfshirë në trazirat në lindje të Ukrainës, dhe ka hedhur poshtë pretendimet se agjentët rusë janë të përfshirë në protesta, duke theksuar se ato janë spekulime që bazohen në informacione jo të besueshme.

Kievi dhe vendet e Perëndimit dyshojnë se separatistët në Ukrainë janë të organizuar nga Moska dhe mund të përfshijnë disa forca ruse, që kërkojnë hapur të përsërisin skenarin e Krimesë. Muajin e kaluar, Moska ka aneksuar këtë rajon nga Ukraina.

Aktivistë pro-rusë dhe disa persona të armatosur aktualisht po kontrollojnë ndërtesat qeveritare në së paku dhjetë qytete në lindje të Ukrainës. /albeu.com/

Shtuar më 15/04/2014, ora 11:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori