Fitorja opsioni i vetëm për Ukrainën, çdo kompromis me Putinin do të ishte i padrejtë

Nga Boris Johnson “Wall Street Journal”

Unë e kuptoj pse Volodymyr Zelensky thotë se është i gatshëm të negociojë me Vladimir Putinin. Nuk kam dyshim se presidenti ukrainas është i sinqertë në atë që thotë. Nëse do të kishte diçka që i ngjan një plani të qëndrueshëm paqeje, qeveria e tij do të angazhohej dhe do ta mbështeste atë.

Bashkatdhetarët e zotit Zelensky kanë vuajtur pasojat e bombardimeve më kafshërore që kanë ndodhur në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Qytete të tëra janë shkatërruar nga makineria e luftës e Vladimir Putin, teksa janë vrarë dhjetëra mijëra të pafajshëm.

Dhe kjo masakër vazhdon çdo ditë, pa asnjë keqardhje apo pendesë: robër të torturuar, gra të përdhunuara, shkolla dhe kopshte të bombarduara qëllimisht. Çdo ditë dronët e prodhuar nga Irani po godasin qytetet ukrainase, duke shkaktuar ndërprerjen e energjisë elektrike dhe furnizimin me ujë.

Paqe? Sigurisht që Ukraina dëshiron paqen. Ekonomia e saj është shkatërruar. Qeveria e zotit Zelensky mezi po ia del të paguajë nëpunësit e saj publikë. Prandaj, është logjike që ajo do të donte një negocim për t’i dhënë fund kësaj lufte. Por ka vetëm një problem.

Dhe është i njëjti problem me të cilin është ndeshur Zelensky çdo ditë që nga 24 shkurti. Nuk ka asgjë për të negociuar. Asnjë ndërmjetës i mundshëm në botë nuk ka qenë në gjendje të propozojë një lloj kompromisi që mund të perceptohet si sadopak i besueshëm.

Ndaj, çfarëdolloj marrëveshjeje mund të arrijmë ne me Rusinë, në rrethanat aktuale? Le të supozojmë për një moment se fuqitë perëndimore do të përpiqen ta bindin Ukrainën që të heqë dorë nga një pjesë e territorit të saj në këmbim të paqes, raporton abcnews.al.

Natyrisht, çdo lloj pazari i tillë do të ishte i neveritshëm. Do të ishte një përbaltje e sakrificave të ukrainasve. Por le të imagjinojmë se mund të arrihet një lloj marrëveshje, përmes së ciës Putin do të mbajë jo vetëm pjesët pro-ruse të Donbasit, por edhe së paku një pjesë të territorit që ai ka pushtuar në jug.

Por që në momentin që mendon mbi të, mund të vëresh se ideja nuk është thjesht e neveritshme. Ajo është e pashpresë. Ka zero shanse për të funksionuar. Nga cila pjesë e vendit të tyre duhet të heqin dorë ukrainasit, duke ua dorëzuar përgjithmonë rusëve?

Njërin nga 2 qytete? Të gjithë urën tokësore nga Mariupoli në Krime? Edhe nëse ukrainasit do të binden që ta bëjnë këtë lëshim – gjë që ata nuk do ta bënin në realitet – nuk ka asnjë arsye të besohet se Vladimir Putin do t’i përmbahej marrëveshjes.

Ai ka aneksuar tashmë zyrtarisht 4 rajone, dhe pretendon se Kherson, Zaporizhzhia, Luhansk dhe Donetsk janë tani ligjërisht pjesë e Rusisë. Sikurse e bëri të qartë në artikullin e tij të gjatë të botuar në vitin 2021, Putin është i fiksuar pas idesë së Ukraina është pjesë e një bashkimi të shenjtë dhe të pandashëm me Rusinë.

Dhe ai nuk dëshiron vetëm urën tokësore. Ai e dëshiron të gjithë këtë vend. Ai e ka kaluar periudhën e izolimit për shkak të pandemisë së Covid-19, duke marrë këshilla gjysmë mistike nga priftërinjtë ortodoksë, saqë ai beson tani sinqerisht se është caktuar nga fati dhe Zoti që të hakmerret për poshtërimet që ka pësuar Rusia përgjatë historisë dhe ta ribashkojë perandorinë e Pjetrit të Madh.

Sigurisht që Zelensky do të donte të negocionte për arritjen e paqes. Por është e pamundur të negociosh me një gënjeshtar dhe vrasës, që pavarësisht se çfarë premton me fjalë, do të vazhdojë të përpiqet të shkatërrojë vendin tuaj. Prandaj, le të jemi realistë.

Le ta pranojmë se ekzistojnë vetëm disa rrethana, në të cilat mund të zhvillohet një negociatë, dhe ato janë kur Vladimir Putin të ketë dështuar në këtë luftë. Ekziston vetëm një mënyrë për t’i dhënë fund kësaj lufte, dhe ajo është të ndihmojmë ukrainasit që të dëbojnë pushtuesit rusë nga çdo km2 i territorit që ata kanë aneksuar në mënyrë mizore, dhe sigurisht çdo gjë që është pushtuar që nga 24 shkurti e këtej.

Nga ana tjetër duhet t’i japim fund debatit të pakuptimtë në lidhje me rrezikun e “izolimit të Putinit në një qoshe” apo “vendosjes në rrethana ku ai do të jetë i detyruar të na sulmojë”? Nëse Putin do të përdorte një armë të shkatërrimit në masë, ai do të largonte Rusisë nga klubi i kombeve të qytetëruara.

Dhe do të shihej me përbuzje nga gati të gjitha vendet aktualisht të lëkundura në Azi, Amerikën Latine dhe Afrikë. Po ashtu do të humbiste klientët e tij kinezë; ai do të tmerronte popullsinë e tij; dhe ai do ta zhyste vendin e tij në izolimin ekonomik më të rëndin që ka parë historia, raporton abcnews.al.

Por kjo gjë nuk do të ndodhë. Ne duhet të ndalojmë së foluri për të. Përpara ka vetëm një rrugë: Perëndimi duhet të vazhdojë të mbështesë çlirimin e popullit ukrainas, ndoshta kauzën më transparente dhe më të drejtë në çështjet ndërkombëtare në kujtesën e dekadave të fundit.

Ukrainasit kanë treguar se çfarë mund të bëjnë. Me një përzierje të lidershipit frymëzues dhe heroizmit që buron nga vetëdija se po lufton për vendin tënd, ata i kanë dëbuar rusët nga Kharkiv dhe tani nga Kherson.

Po, humbja e mundshme do të jetë e turpshme për Putin, dhe ai do të ketë disa shpjegime për të bërë para rusëve. Por ai ka nën kontroll organet e propagandës, dhe për momentin gëzon një mbështetje të fortë popullore. Ndoshta ai mund të thotë se “nazistët” janë spastruar nga Ukraina, apo se pakicat ruse janë tashmë të mbrojtura.

Lëreni të dalë përpara rusëve me një narrativë. Kjo nuk është puna jonë. Detyra jonë është t’i japim ukrainasve ndihmën që u nevojitet – sistemet raketore HIAMRS, artileri, tanke dhe avionë – për të mbrojtur shtëpitë dhe familjet e tyre, dhe për të rivendosur atë që kishin:një Ukrainë të lirë, sovrane, të pavarur dhe demokratike.

Ndihma e Perëndimit – mbi të gjitha e SHBA – ka qenë e jashtëzakonshme dhe e paçmueshme. Detyra jonë është të vazhdojmë ta japim atë ndihmë derisa ukrainasit të kenë fituar. Dhe atëherë sigurisht që do të ketë kohë për të negociuar një marrëdhënie paqësore, të rregullt dhe të qëndrueshme por edhe miqësore midis Ukrainës dhe Rusisë.

Shënim: Boris Johnson ka qenë kryeministër i Britanisë së Madhe në vitet 2019-2022.

/albeu.com


Shtuar 16.11.2022 09:40