Eksperti: Kujdes, konsumi i peshkut dhe djathit njëkohësisht na bën anemikë

Eksperti i mjekësisë bimore Zef Gjeta, ka shuar kuriozitetin e të gjithëve në lidhje me konsumimin e peshkut dhe djathit njëkohësisht.

Disa mendojnë që është thjesht një mit dhe disa të tjerë mendojnë që është e dëmshme për shëndetin. Eksperti Gjeta i ftuar në emisionin “Hipokrati” në Top Channel, shprehet se nuk është e këshillueshme konsumi i të dyjave bashkë sepse kjo rezulton në anemi, prandaj njerëzit duhet të bëjnë kujdes.

“Nëse konsumojmë dhe peshk dhe djathë bashkë, ka një problem. Bulmeti na ndihmon shumë me kalciumin ndërsa mishi dhe peshku për hekurin dhe duke i konsumuar të dyja në të njëjtën kohë, ka shumë mundësi që njerëz që ushqehen goxha mirë, që marrin edhe hekurin e mjaftueshëm, por edhe hanë djathin, nuk përthithet hekuri dhe shfaqen anemikë.

Njerëzit çuditen shpesh kur bëjnë analizat, ka dhe reagim ndaj laboratorëve ose mjekëve ‘po unë ha mish, çfarë thua që nuk kam hekur’ e kështu me radhë dhe kjo ndodh pikërisht për këtë gjë. Peshku nuk duhet të përzihet më bulmet dhe djathëra. Kjo gjë shihet pothuajse në të gjitha restorantet në vendin tonë. Ngaqë kam dalë shpesh jashtë, kam vënë re edhe me njerëz të tjerë, kur ulemi për të ngrënë thonë ku është djathi, janë bërë vartës nga djathi i bardhë me shumë kripë dhe këtë sjellje duhet ta moderojmë sepse i bëjmë keq vetes”, shprehet eksperti Zef Gjeta.


Shtuar 29.07.2023 18:57