Norvegjezi Jens Stoltenberg merr komandën e NATO, sfida me Rusinë dhe ISIS
Pëlqej
Nga Lavdrim Lita

NATO me 1 tetor do të ketë një sekretar të ri të Përgjithshëm. Ai është ish-kryeministrin e Norvegjisë, Jens Stoltenberg që të mërkurën do të marrë postin e mbajtur për 5 vite nga Anders Fogh Rasmussen. Shefi i ri i Aleancës Stoltenberg do të jetë sekretari i 13-të i përgjithshëm i NATO-s dhe merr detyrën në një moment delikat për aleancën e atlantikut te Veriut.

Aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë dhe rritja e organizatës terroriste ISIS në Irak dhe Siri rrezikon drejtpërdrejt destabilizimin e Turqisë, ndërsa NATO-ja është duke përgatitur tërheqjen e shumicës së trupave të saj nga Afganistani deri në fund të këtij viti.

Jens Stoltenberg, 55-vjeç, është norvegjezi i parë që zë postin e lartë të NATO-s. Sekretari i përgjithshëm shpreh zërin e NATO-s, me një rol që mund të ndikojë në procesin e vendimmarrjes të Aleancës. Padyshim aftësia e z. Stoltenberg për të krijuar konsensus përtej linjave partiake është cituar shpesh, ashtu si edhe aftësia e tij negociuese ndërshtetërore.

Ai është i biri i një ish-ministri të Mbrojtjes dhe të Jashtëm Thorvald Stoltenberg, që ka jetuar për disa vjet në Beograd, ku edhe ka mësuar gjuhën serbe. Ai ka një karrierë të çuditshme politike dhe publike. Për shembull në rininë e tij në vitet 1970, Stoltenberg ka pranuar se ka hedhur gurë në drejtim të Ambasadës Amerikane për të protestuar kundër Luftës së Vietnamit.

Dhe kur ka udhëhequr krahun rinor të Partisë Laburiste më 1985, ai fillimisht ka afirmuar qëndrimin se Norvegjia duhet të lërë NATO-n, por më vonë ka shtyrë grupin që të ndryshojë pozicionin, duke blerë avionë amerikanë për të shtuar flotën ajrore. Paskëtaj, Stoltenberg është bërë kryetar i Partisë Laburiste.

Si ekonomist me profesion, Stoltenberg ka shërbyer si ministër i Financave dhe Tregtisë më 1990. Biografët e tij sinjalizojnë se në vitin 1995, ai i është bashkuar një proteste me biçikleta nga Oslo për në Paris, për të protestuar kundër testimit të armëve bërthamore nga Franca.

Jens Stoltenberg ka shërbyer për më shumë se 20 vjet në Parlamentin Norvegjez dhe ka mbajtur postin e kryeministrit nga viti 2005 deri më 2013. Gjatë qeverisjes së tij, Norvegjia ka kontribuar me trupa në misionin ushtarak të NATO-s në Afganistan dhe në zonën e ndalim-fluturimit mbi Libi.

Ish-kryeministri Stoltenberg ka qenë po ashtu mbështetës i ruajtjes së marrëdhënieve të mira me Rusinë. Ai ka negociuar një traktat me Moskën për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje 40-vjeçare për kufijtë detarë të dy fqinjëve.

Marrëveshja, e nënshkruar në vitin 2010, lejon eksplorime të reja të naftës dhe gazit në rajonin e Arktikut. Stoltenberg po ashtu thuhet se ka ndërtuar miqësi personale me presidentin e atëhershëm të Rusisë, Dmitry Medvedev. Në samitin e NATO-s, më 2010 në Lisbonë, Stoltenberg ka bërë thirrje për bashkëpunim me Moskën, duke thënë: Do të shënojmë një fillim të ri në marrëdhëniet tona me Rusinë, me qëllim të ndërtimit të një partneriteti strategjik.

Ai ka thënë se aleanca dhe Rusia përballen me shumë sfida të përbashkëta, “të cilat mund të adresohen më së miri përmes bashkëpunimit”. Së fundmi, megjithatë, ai ka thënë se përdorimi i forcës ushtarake të Rusisë në Ukrainë është “i papranueshëm”.

“Masa e Rusisë shkel ligjin ndërkombëtar dhe është një lloj i politikës së pushtetit, e cila i përket kohës së kaluar. Ne nuk do të jetojmë në një botë ku mbizotëron i forti”, ka thënë Stoltenberg. Ai është bërë i njohur në skenën ndërkombëtare pasi fanatiku i ekstremit të djathtë, Anders Behring Breivik, ka vrarë 77 njerëz në një kamp të Partisë Laburiste, në korrik të vitit 2011.

Në shërbimin përkujtimor për viktimat, Stoltenberg është zotuar se do të luftojë autokracinë me “më shumë demokraci, me më shumë sinqeritet dhe me më shumë humanizëm”.

Ai ka përsëritur mesazhin e tij edhe në përvjetorin e parë të sulmeve. “Bombat dhe të shtënat kanë pasur qëllim të ndryshojnë Norvegjinë, por populli norvegjez është përgjigjur duke përqafuar vlerat tona.

Autori ka dështuar, populli ka fituar”, ka thënë Stoltenberg.

Emërimi i Stoltenbergut si sekretar i përgjithshëm i NATO-s nuk ka qenë befasi, pasi ai thuhet se ka pasur mbështetjen e katër vendeve më të fuqishme të NATO-s: Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Britanisë dhe Francës.

Ai është përzgjedhur nga presidenti amerikan Barack Obama dhe ka marrë aprovimin e 28 shteteve antare të NATO. Ekziston një rregull i pashkruar që shefi politik i NATO-s të jetë një europian për të balancuar peshën që ka shefi i Saceur (Supreme Allied Commander Europe) që i përket një amerikani, kjo edhe për shkak të 70% të shpenzimeve janë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka qenë një alarm zgjimi.

Aleanca Veri-Atlantike do t’i kundërpërgjigjet në mënyrë shpejtë kërcënimeve nga jashtë përmes një grupi të ri ushtarak. Ky grup do të quhet “Maja e Shigjetës” dhe në përbërje të tij do të jenë 3000 deri në 5000 trupa. Njësia e re ushtarake është një mesazh i qartë për të gjithë agresorët potencial, që kërcënojnë sigurinë e vendeve anëtare të NATO-s. NATO-ja është një spirancë sigurie./albeu.com/
Shtuar më 30/09/2014, ora 10:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori