Kur duhet të vendoset dhe kur hiqet? Njihuni me kuptimin e verores

Të gjithë kemi mbajtur verore, fijet e thurura të bardha dhe të kuqe që lidhim në duar në fillim të Marsit. Ky simbol i pranverës është trashëguar brez pas brezi. Olga Kalimera, e cila merret me punime handmade, ishte e ftuar këtë të hënë në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” ku shpjegoi domethënien e saj.

Ajo tha se kjo traditë ndiqet në shumë vende të Evropës dhe ka pothuajse të njëjtin kuptim si në Shqipëri, mbrojtjen nga dielli i pranverës. Ajo sqaroi gjithashtu se kur duhet të vendoset dhe sa duhet të mbahet. Sipas saj, verorja duhet të vendoset me 1 Mars dhe më pas duhet vendosur në një dafinë apo trëndafil.

“Veroret duhet t’i mbajnë më shumë fëmijët. Simbolika është që të vendosim një verore me dy fije, të kuqe dhe të bardhë në dorë në mënyrë që të mbrohemi nga dielli i papritur i Marsit. Dhe të gjithë e vendosin në fillim të Marsit.

Gjithë Ballkani dhe vendet e Evropës Perëndimore e kanë traditë veroren dhe pothuajse në kanë të njëjtin kuptim. Vendoset me 1 Mars dhe duhet të hiqet me 30 Mars. E heqim veroren e vendosim në dafinë ose sipër një trëndafili që ta marrë një dallëndyshe dhe të bëj folenë me të.”, tha Olga.


Shtuar 14.03.2022 11:54