Një rrugëdalje për Kievin dhe Moskën
Pëlqej
nga Anatol Lieven


Progresi i konfliktit në Ukrainën lindore është krejtësisht i parashikueshëm. Përderisa rebelimi nisi me mbështetjen e Rusisë pesë muaj më parë, ka qenë e qartë se Kremlini nuk do të lejonte që rebelët të shtypeshin me forcë.

Kaq thellë është investuar prestigji i Vladimir Putinit në strategjinë e tij në Ukrainë, si dhe në imazhin e forcës së Rusisë, saqë lejimi i një fitoreje ushtarake të Ukrainës do të rrezikonte stabilitetin, e madhe edhe vetë ekzistencën e regjimit të tij.

Siç e kanë shkruar shumë vëzhgues që në fillim të këtij konflikti, nuk ka patur asnjëherë, asnjë shans që ushtria ukrainase të mund të fitonte ushtarakisht. Rusia ka demonstruar një aftësi për të dërguar forca të maskuara, aq sa nevojiten për të ndalur ushtrinë e Ukrainës.

Për Perëndimin, nxitja e Kievit që të kërkojë një fitore ushtarake - siç duket se kanë bërë qeveritë perëndimore - mund të çojë vetëm në humbjen e pashmangshme. Nëse konfirmohen, lëvizjet e Ukrainës drejt një marrëveshjeje me Moskën për një armëpushim me rebelët janë një hap logjik.

Edhe nëse Perëndimi do të furnizonte Kievin me ndihmën e mjaftueshme ushtarake për t’i dhënë një shans të vërtetë për të shtypur rebelët, kjo gjë do të shkaktonte gjithashtu një shans të vërtetë për një pushtim në shkallë të gjerë nga Rusia.

Nje pushtim i tillë do të mund të ndalej vetëm prej futjes së një ushtrie perëndimore - gjë që është thjeshtë e pamundur. Një pushtim nga Rusia do të ishte një katastrofë si për Ukrainën, edhe për Rusinë - dhe një poshtërim i rëndë për NATO-n dhe Perëndimin.

Ashpërsia e qëndrimit të Rusisë nuk buron vetëm prej përllogaritjeve të Putinit. Vjen edhe prej faktit që një shumicë rusësh të zakonshëm, duke përfshirë edhe ata që janë properëndimorë dhe pro Putinit, e shohin mbështetjen e Amerikës për përmbysjen e një qeverie të zgjedhur demokratikisht në Kiev (ndonëse e neveritshme), si skandaloze dhe një rrezik jetësor ndaj interesave rusë.

Popullariteti i Putinit u rrit si pasojë e qëndrimit të tij në Ukrainë, dhe nuk po shfaq shenja rënieje. Siç ka shkruajtur Thomas Graham i Kissinger Associates, Rusisë i intereson ajo që ndodh në Ukrainë shumë më tepër sesa Perëndimit - për arsye që duhet të jenë të kuptueshme për këdo që ka studiuar qoftë edhe për dhjetë minuta historinë e Rusisë dhe Ukrainës.

Në të njëjtën kohë, Kremlini mbetet relativisht i kujdesshëm - po të mos ishte kështu, Ushtria ruse do të ishte në Karkovë dhe në Odesë tashmë. Moska nuk bëri asgjë pas shtypjes së demonstruesve prorusë në lindje dhe jug të Ukrainës (duke përfshirë edhe vrasjen e më shumë se 40 prej tyre në Odesë) dhe pranoi kontrollin e atyre zonave nga Kievi.

Moska pranoi gjithashtu si të ligjshme zgjedhjen e Petro Poroshenkos si president. Duhet pranuar pra, se teksa kërkoi kontrollin de jure të Krimesë dhe një ndikim informal deciziv në rajonin e Donbasit, Kremlini ka reduktuar në mënyrë drastike shpresat që kishte një vit më parë, kur Moska donte të fuste të gjithë Ukrainën në një bllok të dominuar prej Rusisë, madje edhe nga koha e reagimit të saj fillestar pas protestave në Kiev. Kjo krijon mundësinë e një zgjidhjeje politike, që mund të konsistojë vetëm në një status special autonomie për rajonin e Donbasit brenda Ukrainës.

Perëndimi duhet të shfrytëzojë çdo përpjekje për armëpushim, për të skicuar dhe mbështetur fort këtë zgjidhje, dhe më pas duhet të negociojë kushte të qartë me Kievin dhe Moskën. Ligjërisht dhe moralisht, nuk mund të ketë kundërshtim të Perëndimit ndaj kësaj - në fund të fundit është zgjidhja që ka parashtruar Perëndimi për t’u dhënë fund konflikteve në shumë pjesë të botës.

Në një tjetër ish territor të Bashkimit Sovjetik, Nagorno-Karabak, Perëndimi shkoi më tej dhe propozoi formën më të lirshme të konfederatës në brendësi të Azerbajxhanit. Kjo zgjidhje korrespondon me historinë dhe realitetin lokal, sepse Donbasi është në fakt një rajon që ka kulturën dhe traditat e tij.

Të ndash Donbasin në këtë mënyrë, ndërkohë që ruan parimin e integritetit territorial të Ukrainës, do të thotë të lejosh Perëndimin të ndihmojë në zhvillimin dhe konsolidimin e pjesës tjetër të Ukrainës, pa shkaktuar shqetësime konstantë në Lindje.

Kjo do të hapte mundësinë - ndonëse në të ardhmen e largët - që Ukraina të anëtarësohet në BE. Dhe nëse në atë pikë, populli i rajonit të Donbasit do të vendoste të shkëputej dhe humbiste përfitimet e anëtarësimit - atëherë, lamtumirë. Aq më keq për të.

Një kundërshtim që ka dalë ndaj kësaj zgjidhjeje është se, në terma kohëshkurtër, do i jepte rajonit të Donbasit të drejtën e vetos sa i përket anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Por, duke qenë se NATO gjithësesi as nuk ka ndërmend të luftojë për të mbrojtur Ukrainën, do të ishte kriminale moralisht dhe gjeopolitikisht që t’i ofronte asaj anëtarësimin.

Zgjidhja sot nuk është mes një Ukraine të bashkuar, e gjitha në kapin perëndimor, apo një Ukraina që ka humbur një pjesë të territorit tek Rusia. Siç e kanë treguar zhvillimet e fundit ushtarakë, rezultati i parë thjeshtë nuk do të ndodhë. Zgjedhja është mes një Ukraine me rajonin autonom të Donbasit, bashkë me një shans real për zhvillimin e demokracisë dhe ekonomisë së vendit në drejtim të Perëndimit, apo një Ukraine që do të bllokohet në një konflikt gjysmë të ngrirë, i cili do të hedhë në erë të gjithë shpresat për progres.

Rrugëdalja nga kjo fatkeqësi është e qartë - sikur qeveritë perëndimore të kishin lidershipin dhe kurajën për ta marrë atë rrugë. /albeu.com/


Anatol Lieven është profesor në Shkollën e Shërbimit të Jashtëm të Universitetit të Xhorxhtaunit në Katar dhe autor i vepërs “Ukraina dhe Rusia: Një rivalitet vëllazëror”. Marrë nga: bota.al


Shtuar më 05/09/2014, ora 12:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori