Një "Nuremberg" i ri në Kamboxhia
Pëlqej
Albeu.com
Pesë drejtues të lartë të Kmerëve të Kuq janë nxjerrë para bankës së të akuzuarve në vendin aziatik. Regjimi vrau 25 për qind të banorëve, duke zhdukur një brez të tërë.Elementi më i dukshëm i këtij Nurembergu aziatik, procesi gjyqësor i nisur pardje në Pnom Pen kundër ish-liderëve të Kmerëve të Kuq, është diferenca e moshave. Pesë ish-liderët që po përballen me akuzat për krime kundër njerëzimit janë përtej të tetëdhjetave. Mund të thuhet se i kanë mbijetuar vetes më shumë se viteve të shfarosjeve, ku luanin rolin e protagonistëve apo kohëve të luftës guerilase në xhungël: fillimisht me vietnamezët kundër amerikanëve, më pas me amerikanët kundër vietnamezëve, përjetësisht me kinezët.

Në krahun përkundrejt bankës së të akuzuarve numërohen 14 milionë kamboxhianë me moshë mesatare thuajse 21-vjeçare. 34% e kamboxhianëve sot janë më pak se 14 vjeç. Rreth 80% e popullsisë, në fakt, ka lindur pas dhjetorit të vitit 1978, kur Hanoi pushtoi Kamboxhian për t‘i dhënë fund regjimit të Kmerëve të Kuq, i cili i kishte vënë detyrë vetes të masakronte rregullisht popullin e vet. Ndërkaq, njerëzit më shumë se 65 vjeç, pak a shumë brezi ku bëjnë pjesë të akuzuarit, përbëjnë vetëm 3% të popullsisë.

Trashëgimia dramatike e atyre masakrave fatkeqe vërehet fare qartë te këto të dhëna mbi moshën e popullsisë. Rreth 2 milionë të vdekur, që përbënin rreth 25% të popullsisë së atëhershme - të vrarë nga Kmerët e Kuq jo për shkak të pastërtisë së racës, por për shkak të pastërtisë së mendimit - fizikisht i dhanë fund historisë së Kamboxhias së dikurshme. Një regjistër civil i boshatisur, që për fat të mirë pati si pasojë bumin e lindjeve, duke bërë që numri i kamboxhianëve të dyfishohej në më pak se 30 vjet. Në këtë kornizë të ndikuar fort nga zhdukja e brezave të tërë, procesi gjyqësor duket si një lojë teatrale e çuditshme. Deri një javë më parë, të akuzuarit bënin jetë të rehatshme, të lirë, në vila luksoze në periferi të Pnom Penit. Të gjithë ata ish-vegla të Kmerëve të Kuq (rreth 20 mijë) jetojnë edhe sot e kësaj dite të lirë e të pashqetësuar nga askush. Kryeministri i vendit, Hun Sen, edhe pse i ngjitur në pushtet nga vietnamezët, hapat e parë në politikë i ka hedhur në radhët e Kmerëve të Kuq.

Shumë ish-vartës të pesë liderëve që gjenden përpara gjyqit sot bëjnë pjesë në qeverinë e Hun Senit. Kamboxhianët kujtojnë me tmerr epokën e Kmerëve të Kuq, por ndoshta urrejnë më shumë pushtimin e mëpasshëm vietnamez, të cilit i erdhi fundi vetëm në vitin 1991, falë një marrëveshje paqeje të diktuar OKB-ja. Tani, Kryeministri Hun Sen e përkrah gjykimin e ish-liderëve, por ka pak gjasa që të kërkojë dënimin e tyre me vdekje. Disa prej tyre, gjatë dhjetëvjeçarëve, kanë bërë pakte me shumë njerëz të rëndësishëm nga shumë vende të botës. Pas përfundimit të epokës së Kmerëve të Kuq, Kamboxhia u bë arenë e një loje të komplikuar gjeopolitike të Luftës së Ftohtë, në të cilën kinezët e amerikanët përpiqeshin të ndalnin shtrirjen e rusëve dhe të vietnamezëve në Azi. Paqja e vitit 1991, e arritur falë iniciativës tajlandeze, u bë e mundur vetëm pasi u ra dakord të varrosej e shkuara, të kthehej faqja mbi masakrat e të parëve e mbi pushtimin e të dytëve.

Ndërkohë që sot, katër ndër pesë të akuzuarit, ngrenë zërin për faktin se janë falur nga mbreti i Kamboxhias, Norodom Sihanouk. Ndërkaq, që në ditën e parë u pa mungesa e theksuar e seriozitetit në të gjithë këtë proces të zhurmshëm. Pardje u dëgjua në sallën e gjyqit Duci, kasapi, torturuesi i Kmerëve të Kuq, i vetmi ndër të pestë që s‘është penduar (megjithëse pendimi nuk përbën kurrfarë prove). Avokatët e tij kërkuan që të lirohej në pritje të gjykimit, duke qenë se "po i dhunoheshin të drejtat njerëzore". Kërkesa bëri që gjithë publiku i pranishëm të shpërthente në të qeshura, duke ditur mirë se Duci është përgjegjës për torturimin dhe vrasjen e 21 mijë njerëzve në burgjet e Kmerëve të Kuq. Dëshmia e tij do të jetë shumë e rëndësishme. Duci e ka pranuar rolin në masakra, por njëherësh ka theksuar se ka vepruar nën urdhra të drejtpërdrejtë nga krerët e regjimit. Urdhrat e shkruara për eliminimin e njerëzve shpesh përpiloheshin nga Khieu Sampan, por qenë fryt i vendimeve të marra nga i gjitha lidershipi i atëhershëm.

Dëshmitë e tij mund të gozhdonin katër të akuzuarit e tjerë, gjithnjë në rast se dikush do të donte që kjo të ndodhte. Por që tani është e qartë që pika kyçe e procesit nuk do të jenë dëshmitë, por vullneti politik. Kjo bën që të mos mund të quhet fjalë për fjalë "Nurembergu aziatik". Kur hierarkët e lartë nazistë u arrestuan e nxorën përpara gjykatësve në Nuremberg, si edhe kur një gjë të tillë e bëri Izraeli, vërehej qartë vullneti për t‘i dënuar. Por, një vullnet i tillë zor se mund të vërehet mes njëmijë hijeve të politikës kamboxhiane.

Hun Sen e drejton vendin që prej 30 vjetësh. Është një kameleon i vërtetë i politikës, i paprekshëm nga ndryshimet e klimës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare, i vendosur politikisht mes influencës tajlandeze dhe vietnameze. Kështu, Hun Sen, bashkëmoshatar dhe për dekada të tëra armik e mik i pesë të akuzuarve, mund të ndihet më i dobët nëse këta dënohen.

Në rast se do të binin këta ish-liderë, 20-vjeçarët kamboxhianë mund të vendosnin se ndoshta ka ardhur çasti të çlirohen edhe prej tij, shumë i kompromentuar për shkak të gjithë atyre viteve në majën e pushtetit. Nga ana tjetër, edhe në rast se OKB-ja do të bënte të mundur dënimin e kriminelëve të luftës, ekziston gjithnjë mundësia që këta të falen nga mbreti dhe nga politika. Duket se mbretërit e torturës e të shfarosjes kanë shanse të mira t‘i kalojnë ato ditë që u kanë mbetur nga jeta në vilat e tyre luksoze, të qetë e të patrazuar.
Botuar ne G. Shqip
Shtuar më 23/11/2007, ora 18:41
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori